Thaçi Përshëndet Qëndrimin Amerikan për Ushtrinë

Pasi doli nga Konferenca Vjetore e Prokurorëve, Presidenti Hashim Thaçi duke folur për veriun, përshëndeti qëndrimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes James Mattis për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Më lejoni gjithashtu që ta përshëndes qëndrimin e sekretarit të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Mattis për Kosovën, për themelimin e ushtrisë së Kosovës,” tha Thaçi.

Dje nëpër medie u raportua për një dokument të sekretarit Mattis drejtuar senatit në të cilin kërkohej të krijohej ushtria e Kosovës.

Thaçi më tutje deklaroi se Kosova do të jetë edhe në administratën e Trump-it nën vëmendjen amerikane.

“Edhe nga kontaktet me administratën e re të Amerikës së Presidentit Trump Kosova do të vazhdojë të mbetet në fokus të thellë të SHBA-së me një politikë të kujdesshme për konsolidimin dhe afirmimin e shtetit tonë për thellimin e raporteve specilae dhe të përhershmë mes Kosovës dhe SHBA-ve,” tha Thaçi.

Duke folur për veriun, Thaçi deklaroi se nuk pret tensione.

“Nuk pres ngritje të tensioneve, përkundrazi pres një koordinim dhe veprime të koordinuara që mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave,” tha Thaçi.

Presidenti përsëriti që muri në veri afër urës kryesore të lumit Ibër do të rrënohet.

“Po punojme edhe me autoritetet lokale atje dhe në mënyrë të koordinuar që të hiqet edhe ajo pengesë-muri. Sepse është në interesin e të gjithëve që të këmi paqe, të kemi stabilitet, të kemi mirëkuptim,” tha Thaçi.

Por Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës Veriore, në dhjetor të vitit të kaluar tha për KALLXO.com se vetëm do të zvogëlohet lartësia e murit.

http://kallxo.com/rakiq-muri-te-zvogelohet/

Një rezolutë e Kuvendit të Kosovës e miratuar më 29 dhjetor të vitit të kaluar kërkon rrëzimin e murit në muajin janar 2017.

Thaçi para se të flasë për raportet me Amerikën dhe veriun e vendit, u kërkoi prokurorëve luftë kundër korrupsionit.

http://kallxo.com/thaci-e-perhershme-beteja-kunder-korrupsionit/