Hashim Thaçi, President i Kosovës

Thaçi Përsëri Kërkon Ratifikimin

“Edhe një herë ftoj gjithë spektrin politik dhe deputetët e Kuvendit të ngrihen mbi çdo interes dhe logjikë provinciale. Të veprojmë sa më të bashkuar për interesat e vendit. Këtë e presin qytetarët e Kosovës, këtë e presin miqtë tanë ndërkombëtarë,” shkroi Thaçi në Facebook.

Ai përsëriti se Kosova nuk humb territor nga marrëveshja e 26 gushtit 2015 për përcaktimin e vijës kufitare me shtetin fqinj, ndërsa vazhdoi t’i quajë të kauzë të rreme deklaratat e opozitarëve dhe disa ekspertëve se territori i Kosovës po zvogëlohet me marrëveshje.

“Faktet e reja dëshmojnë se procesi i shënimit të vijës kufitare nuk ka pasur asnjë lëshim dhe, si përfundim, Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj. Këto fakte hedhin poshtë në tërësi kauzat e rreme të kundërshtarëve të këtij procesi të cilët në vazhdimësi e kanë kundërshtuar atë për interesa personale dhe përfitime politike,” vijoi postimi i Thaçit.

Thaçi edhe kur iu drejtua popullit të enjten tha se marrëveshja e demarkacionit duhet të ratifikohet, pasi nëse nuk bëhet kjo do të minohet e ardhmja evropiane e Kosovës.

Edhe të shtunën po në Facebook, Thaçi shkroi se ratifikimi e largon Kosovën nga izolimi ndërkombëtar.

Ali Lajçi që ishte përfaqësues i komunitetit të Rugovës dhe ish-anëtar vëzhgues në Komisionin Shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi, të shtunën për KALLXO.com këto deklarime të Thaçit i konsideroi presion, ndërsa shtoi se Thaçi deklaratat e tilla po i bën sepse ndodhet në panik për votat e pamjaftueshme të ratifikimit.

Edhe deputeti i AAK-së Daut Haradinaj i kërkoi dje Thaçit që t’i lërë rehat deputetët, pasi sipas Haradinajt Presidenti nuk ka mandat t’u bëjë presion atyre.