Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker - Foto: Facebook

Thaçi: Për BE-në i Pakuptueshëm Mosratifikimi i Demarkacionit

Presidenti Hashim Thaçi tha se në takimin që ka pasur sot me kryetarin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Sipas presidenti, kreu i Komisionit Evropian ka treguar mirëkuptim dhe vullnet për ta përmbyllur këtë proces të stërzgjatur.

“Mirëpo, ai gjithashtu ma bëri të qartë se do ta ketë të pamundur të përmbyllë këtë proces në rast se Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, ka shkruar presidenti i Kosovës në profilin e tij në “Facebook”.

Presidenti Thaçi theksoi se për BE-në është e pakuptueshme si ka mundësi që kosovarët e duan dhe e kërkojnë kaq shumë liberalizimin e vizave, ndërsa përfaqësuesit e tyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës, iu pamundësojnë lëvizjen pa viza qytetarëve të vet, duke mos e votuar këtë marrëveshje.

“Edhe për mua si president, kjo situatë është krejtësisht absurde dhe e papranueshme. Të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës janë përgjegjës për këtë izolim të padrejtë. Prandaj, unë edhe një herë iu bëj ftesë, në emër të qytetarëve të Kosovës, që të vendosin interesin e Kosovës dhe të qytetarëve tanë përpara interesave të tyre personale dhe partiake”, ka shkruar ai.

“Vota e tyre pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion i jep fund izolimit të padrejtë të Kosovës”, thekson presidenti Thaçi.

Ndërsa, dje, presidenti Thaçi është takuar me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe me kryetarin Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Sipas një postimi në “Facebook”, në këto takime është diskutuar për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit të Kosovës në BE dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

“Vonesat e BE-së vetëm sa po e dëmtojnë kredibilitetin dhe po e zbehin përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për këtë proces”, kishte shkruar ai.