Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi pas Demarkacionit Synon Zgjidhje për Luftimin e Korrupsionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i’a ka mësyrë të përmbushë edhe kriterin e dytë të mbetur për liberalizimin e vizave, që është luftimi efikas i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai përmes një statusi në Facebook tregoi hapat që ka ndërmarrë për tu siguruar për përmbushjen e kushtit të dytë.

“Tani që kemi një konsensus politik dhe shoqëror për përmbylljen e kriterit të demarkacionit, dje zhvillova një takim me të gjithë përfaqësuesit e organeve përgjegjëse për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.Ky takim i shërben përforcimit të një historiku në forcimin e sundimit të ligjit, siç është kërkuar nga Komisioni Evropian, kur është prezantuar propozimi për liberalizim të vizave për Kosovës”, shkroi ai.

Ai po ashtu theksoi se luftimi i korrupsionit dhe krimi të organizuar nuk bëhet vetëm sa për të marrë liberalizimin.

“Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është betejë që duhet të kufizohet brenda vetëm një procesi, nuk duhet të bëhet vetëm për liberalizim të vizave. Kjo betejë duhet të fitohet çdo ditë.Progresi i vazhdueshëm është një proces jetik ku institucionet përgjegjëse duhet të tregojnë punë, përkushtim dhe rezultate të vazhdueshme”, vazhdon ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së bashku me homologun e tij malazez arritën dje një deklaratë të përbashkët për demarkacioni e cila sot u miratua në Qeverinë e Kosovës.

http://kallxo.com/miratohet-deklarata-per-demarkacionin-si-aneks-marreveshje/