Thaçi nderon në Gorazhdec | Foto: Zyra e Kryeministrit

Thaçi: Nuk do të Vritet më Loja e Fëmijëve

Në Gorazhdec të Pejës më 13 gusht 2003 ishin vrarë dy të rinj serbë e katër të tjerë ishin plagosur, ndërsa ky rast nuk ishte zbardhur nga drejtësia.

“Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar sulmin kriminal kundër të rinjve të fshatit Gorazhdec 14 vite më parë në të cilin u vranë dy të rinj e u plagosën katër të tjerë,” tha Thaçi sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca.

Presidenti tha më tutje  se “e drejta për jetë është e drejtë fondamentale për të gjithë”, ndërsa kujtoi edhe vrasjet e fëmijëve shqiptarë nga ish-regjimi serb.

Sipas Thaçit e drejta për jetë duhej të vlente edhe “për rreth 400 fëmijë shqiptarë nën moshën 15 vjeç që gjatë luftës u vranë nga shteti i Serbisë”.

Thaçi sipas komunikatës u zotua se askush më në Kosovë nuk do të vrasë fëmijë.

“Zotohem se nuk do të ketë forcë e as dorë kriminale që do të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës. Kurrë më!” tha Thaçi që këmbënguli të zbardhet edhe fati i të gjithë të  pagjeturve dhe që të ndriçohen të gjitha krimet.

Edhe në korrik Thaçi vendosi kurorë lulesh në memorialin e 14 serbëve të vrarë pas luftës në Grackë të Lipjanit.