Lansimi i programit të Fondacionit Westmister | Foto: KALLXO.com

Thaçi: Njerëzit nën Hetime jo në Lista të Partive

Gjatë lansimit të programit të Fondacionit Westminster për Demokraci në Kosovë të mbështetur nga ambasada britanike, Presidenti Hashim Thaçi tha se angazhohet që nëpër listat e partive për deputetët të mos ketë persona që ndodhen nën hetime.

“Që në fillimi të marrjes së detyrës kam promovuar idenë që partitë politike në Kosovë të ndërtojnë një kod të mirësjelljes në mes vetë partive , e që kërkon që njerëzit nën hetime apo të akuzuar nuk do të lejohen të hyjnë në lista si deputetë, e as të marrin pagë në  institucione publike”, tha Thaçi.

Presidenti tha se një hap i tillë i përjashtimit nga lista të atyre që hetohen “do të ndihmonte në forcimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në partitë politike dhe në aspiratën e tyre që të punojnë për interesa të Kosovës dhe qytetareve të saj”.

Në vitin 2013 kur Thaçi ishte kryeministër dhe kryetar i PDK-së, Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar se 10 kryetarë komunash, 9 prej të cilëve të partisë që drejtohej nga Thaçi ishin të akuzuar ose dënuar.

Edhe 17 zyrtarë tjerë me rang më të ulët të kësaj partie po përballeshin atëherë me drejtësinë.

Dhjetë Kryetarë Komunash të Akuzuar ose Dënuar

Gjatë fjalimit të Thaçit, zyrtarë të partive opozitare lëshuan sallën, ndërsa u kthyen pasi Presidenti kreu fjalën e tij.

Ambasadori I Britanisë së Madhe  Ruairi O’Connell tha se shteti që përfaqëson është i vendosur që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe stabil.

O’Connell tregoi se si duhet Kosova ta luftojë korrupsionin.

“Mënyra e vetme që të luftojmë korrupsionin është që të kemi parti politike  të shëndosha dhe transparente të cilat duhet të përpiqen ti shërbejnë interesave të qytetarëve”, tha ambasadori britanik.

Edhe një javë më parë O’Connell gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Fakultetit Juridik të UP-së u kërkoi atyre të mos korruptohen.

http://kallxo.com/ambasadori-britanik-studenteve-mos-u-korruptoni/

Në konferencë ku u lansua programi britanik për demokracinë, e diskutua edhe për demokratizimin e subjekteve politike.

Ismet Beqiri gjatë këtij diskutimi lavdëroi partinë e tij LDK-në për bërjen pjesë në Partitë Politike Europiane.

“Pa pasur një mekanizëm të fuqishëm ne nuk do të mund te ishim pjesë e tyre “, tha Beqiri.

Në konferencë u fol edhe për transparencën dhe financimin e partive politike.

Fondacioni Westminster u themelua në vitin 1992, tre vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe ka për qëllim ndihmimin e vendosjes së demokracisë shumëpartiake.