Nga takimi për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Foto: Zyra e Presidentit

Thaçi Nis Idenë për Pajtim, por Përballet me një Shembull të Dështuar

Në takimin e parë konsultativ për formimin e këtij komisioni, kreu i shtetit tha se kjo inciativë është unike në Ballkan dhe se, sipas tij, rruga drejt pajtimit nuk kërkon kërkim falje nga shteti serb për krimet e kryera në Kosovë.

“Dikush mund të pyes nëse fillimisht ndodhë kërkimfalja, pastaj pajtimi? Por e vërteta dhe pajtimi nuk arrihen me kushtëzime, mirëpo me vullnet dhe ndjenjë të mirë. Falja është kujtim – të kujtojmë dhe mos ta përdorim të drejtën e hakmarrje”, tha Thaçi.

Por ai tha se e vërtëta duhet të dihet “sado e hidhur apo e shëmtuar të jetë”.

“Brezat e rinj duhet të dinë, çka kanë bërë brezat e mëparshëm, fëmijët të dinë për prindërit e tyre. Besimi i ndërsjellë duhet fituar, jo duke mohuar, por duke marrë përgjegjësi dhe duke respektuar dinjitetin dhe integritetin e palëve”, tha Presidneti i Kosovës.

Kjo iniciativë e Presidentit vjen në prag të 18 vjetorit të përfundimit të luftës mes Kosovës dhe Serbisë dhe 9 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Rreth 12 mijë persona janë vrarë nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- 1999 ndërsa rreth 1 milion janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli shprehu përkrahjen e tij në formimin e këtij komisoni duke vënë theks në veprimet e shtetit serb që sipas tij nuk duhet të harrohen.

“Janë mijëra viktima të pafajshme, ndërsa drejtësia për to ende nuk është vendosur. Janë me dhjetëra masakra, të kryera gjatë luftës, për të cilat askush nuk është dënuar. Fatkeqësisht as moralisht nga shteti serb. Ata që i bënë këto krime vazhdojnë të jenë të lirë, duke pritur që koha t’i fshij dhe mbulojë me pluhurin e harresës dëshmitë e krimeve të tyre monstruoze”, tha Veseli.

Mbështjetje të pakushtëzuar në formimin e këtij komisioni dhanë edhe Kryeministri i Kosovëës, Isa Mustafa dhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.

Megjithatë ish-shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Daan Everts, shprehu skepticizëm mbi atë se mund të jetë efikas një komision i tillë.

“Për ta përmirësuar Presidentin, kjo nuk është përpjekja e parë e këtij lloji në Ballkan, ka qenë edhe një iniciativë në Kostanicë për pajtimin kroato-serb që kishte dështuar. Ky komision ka nevojë për të gjetur një qëllim të përbashkët të të dy etnive dhe një person kredibil që përfaqëson të dy komunitetet për të udhëhequr këtë iniciativë”, tha Everts.