Presidenti Hashim Thaçi në Kanada - Foto: Facebook

Thaçi nga Kanadaja Uron Qytetarët për Balotazhin

Presidenti Hashim Thaçi ka uruar nga Kanada qytetarët e Kosovës, partitë politike, shoqërinë civile dhe mediat, të gjitha institucionet shtetërore, KQZ-në, për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Thaçi tha se Kosova dëshmoi edhe një herë se zgjedhjet e nivelit më të lartë profesional, fer, të lira e demokratike janë tani standard i konsoliduar në Kosovë.

“I falënderoj edhe të gjithë vëzhguesit, kosovarë dhe ndërkombëtarë, që garantuan se procesi është transparent dhe kredibil”, ka shtuar ai.

“Këtë herë ishim të nderuar që në kohë zgjedhjesh në Kosovë ishte edhe miku ynë i përjetshëm dhe kultivuesi i përhershëm i marrëdhënieve tona me SHBA-në, kongresmeni Eliot Engel, që ka pasur rast të shikojë nga afër demokracinë kosovare në veprim”, ka theksuar presidenti, i cili është për një vizitë në Kanada, ku është takuar me zyrtarë të lartë të këtij vendi si dhe me komunitetin kosovar atje.

Ndryshe, dje në 19 komuna të Kosovës është mbajtur balotazhi për kryetarë komunash si dhe është rivotuar për kryetar të Komunës së Parteshit.