Thaçi në Paris: Jemi të Zhgënjyer nga Vonesat për Integrim në BE

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferencën e Parisit, që po zhvillohet në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës, foli lidhur me pasojat që po i vijnë Kosovës për shkak të mos integrimit në Bashkimin Evropian.

“Shpeshherë ndjehemi të zhgënjyer që procesi i integrimit evropian nuk është më i shpejtë, sepse vonesat po krijojnë hapësirë për aktorët e tjerë që përpiqen të cenojnë vlerat tona civilizuese perëndimore. Sido që të jetë, nënshkrimi i MSA-së në vitin 2015 ishte shumë i rëndësishëm dhe pritet që të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin tonë politik dhe ekonomik”, tha ai.

Ai po ashtu theksoi se Kosova si një shtet që po i afrohet 10 vjetorit të Pavarësisë, ka arritur shumë progrese.

“Megjithatë, përmirësimet po bëhen vazhdimisht në të gjitha fushat relevante dhe duke marrë parasysh se në vitin e ardhshëm do ta festojmë dhjetëvjetorin tonë si një vend i pavarur, rezultatet janë mjaft inkurajuese”, tha Presidenti.

Në Konferencën e Parë të Parisit, presidenti Thaçi ka folur edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ky dialog tani po hyn në një fazë të re dhe është shprehur i bindur se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet brenda një të ardhme jo të largët.

“Dialogu deri tani ka dhënë shumë rezultate pozitive dhe mbetet çelësi i vetëm për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve respektive, si kusht i domosdoshëm për integrim në BE dhe NATO”, ka thënë ai.

http://kallxo.com/presidenti-thaci-pjesemarres-ne-konferencen-e-parisit/