Vizita e Thaçit në Jarinjë | Foto: Zyra e Presidentit

Thaçi në Jarinjë i Gëzohet Situatës Normale

Gjatë vizitës në Pikën Kufitare të Jarinjës, Presidenti Thaçi tha se i vjen mirë nga situata krejt normale që sheh.

“Më vjen tepër mirë që shoh një situatë krejt normale, një situatë të komunikimit, por edhe qarkullimit të njerëzve,” tha Thaçi, sipas një komunikate të lëshuar nga Departamenti i Informimit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencë.

Thaçi më tutje, sipas komunikatës, përgëzoi doganierët dhe policët për punën e përbashkët.

“Unë uroj dhe përgëzoj të gjithë policët e Kosovës, të gjithë doganierët që janë duke punuar bashkërisht: shqiptarë, serbë dhe të tjerë, sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane,” tha Thaçi.

Presidenti deklaroi se këtu edhe bashkëpunimi mes autoriteteve kosovare dhe atyre të Serbisë është shumë i mirë.

“Këtu është jashtëzakonisht inkurajues edhe bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Dua të besoj se ky do jetë një shembull i mirë edhe për të ardhmen,” tha Thaçi.

Thaçin në këtë vizitë e shoqëroi drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni dhe drejtuesi i Doganës Lulzim Rafuna.