Thaçi Mbron Vendimin e Qeverisë për Pronat Shtetërore

Vendimi i qeverisë, për të cilin të mërkurën reagoi ashpër qeveria serbe, për Thaçin është i ligjshëm dhe kushtetues.

“Serbia nuk ka juridiksion në Republikën e Kosovës. Serbia nuk ka prona në Kosovë. Pronat janë të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi gjatë një debati me gazetarë në Çagllavicë.

“Kosova ka qenë pjesë konstituive e federatës jugosllave. Serbia nuk është trashëgimtare e Jugosllavisë, ka qenë vetëm një nga republikat. Vendimi i qeverisë është ligjor, kushtetues”, u shpreh ai.

Duke komentuar reagimin e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq rreth këtij vendimi, Thaçi i lidhi reagimet e tij me faktin se Vuçiq po kërkon të bëhet President i Serbisë në zgjedhjet që mbahen muajin e ardhshëm.

“E kuptoj që kryeministri serb është në fushatë. Ai mund t’i fitojë zgjedhjet në Serbi por pronat janë në Kosovë. Mund t’i fitojë zgjedhjet, por ushtria do të bëhet. I ka dy tema të lezetshme për të fituar vota në Serbi”, tha Thaçi.