Presidenti Hashim Thaçi cakton Ramush Haradinajn mandatar për formimin e Qeverisë - Foto: Facebook

Thaçi Mandaton Haradinajn

Përmes një dekreti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka caktuar Ramush Haradinajn mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Në një postim në “Facebook”, presidenti Thaçi ka treguar se porsa ka pranuar propozimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, i cili ka siguruar shumicën e votave në Parlament, për caktimin e mandatarit të ri të Qeverisë së Kosovë.

“Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, përmes një dekreti kam caktuar z. Ramush Haradinajn mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, i propozuar nga ky koalicion”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka mandatuar kandidatin e koalicionit PAN për kryeministër pas votimit të kandidatit të këtij koalicioni për kryetar të Kuvendit.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma (PAN) ka fituar më së shumti vota dhe 39 ulëse në Kuvend.

Meqë këto vota nuk i mjaftonin për votimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe kandidatit për kryeministër, koalicioni PAN kishte filluar diskutimet me grupe të ndryshme për sigurimin e votave të mjaftueshme.

Pas konsultimeve të shumta, PAN e bindi AKR-në e Behgjet Pacollit për t’iu bashkëngjitur dhe për të ndarë bashkë pushtetin.

Seanca e votimit për kryeministër do të mbahet të shtunën.