Thaçi: Kundërshtimi i Demarkacionit, Logjikë Provinciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje që të respektohet “agjenda shtetërore” për votimin e demarkacionit dhe marrëveshjeve të tjera me Serbinë që, sipas tij, po i pengojnë  proceset e liberalizimit dhe integrimit evropian.

Duke folur nga sheshi në Prishtinë ku bëri homazhe para memorialit kushtuar personave të pagjetur, Presidenti i vendit ka adresuar edhe çështjen e demarkacionit të kufirit në mes Malit të Zi dhe Kosovës duke e vlerësuar si marrëveshje të saktë dhe të drejtë.

“Unë si president i vendit mbështes agjendën shtetërore dhe çështja e demarkacionit, e asociacionit dhe çështjet e tjera…, duhet të përmbyllen me një përgjegjësi të lartë të angazhimeve shtetërore duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke respektuar vullnetin qytetarëve që të lëvizin sa më shpejt drejt perspektivës evropiane pasi që janë edhe si parakushte edhe janë marrëveshje të sakta dhe të drejta por në të njëjtën kohë janë edhe si parakushte për të ardhmen evropiane, liberalizimin e vizave dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Ai cilësoi kundërshtimet e demarkacionit si logjikë provinciale që, sipas tij, po e mban peng pa të drejtë të ardhmen e Kosovës.

“Askush nuk ka të drejtë që për shkak të një logjike provincial apo mentaliteti provincial të mbajë peng të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Unë besoj dhe shpresoj fuqishëm që gjërat do të shkojnë në drejtim të duhur”, theksoi Thaçi.

Marrëveshja e Demarkacionit e nënshkruar në gusht të vitit të kaluar, është caktuar për votim në Kuvend më 1 shtator.

Ndërkaq, partia opozitare ‘Vetëvendosje’, ka paralajmëruar protestë në të njëjtën ditë për kundërshtimin e kësaj marrëveshje që sipas tyre i humb Kosovës rreth 8 mijë hektarë tokë.