Thaçi para varrit të Rugovës | Foto: Facebook

Thaçi Kujton Vdekjen e Rugovës

Hashim Thaçi shkroi në Facebook për ish-Presidentin Ibrahim Rugova, në ditën kur u bënë 11 vjet nga vdekja e Rugovës.

Presidenti Thaçi e vlerësoi Rugovën prijës të lëvizjes politike që shënoi vitet e nëntëdhjeta.

“Orientimi politik nga vlerat perëndimore, këmbëngulja për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës janë vlera madhore të mendimit dhe angazhimit të tij politik,” shkroi Thaçi, duke e vlerësuar ish-rivalin e tij politik kontribues të jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës.

KALLXO.com shkroi sot se institucionet e shtetit nuk planifikojnë aktivitete në ditë-vdekjen e Presidentit të parë të Kosovës.

http://kallxo.com/heshtje-institucionale-ne-diten-e-vdekjes-se-rugoves/

Lidhja Demokratike e Kosovës organizoi sot homazhe te varri i rugovës, takim me familjarë të tij dhe akademi përkujtimore.

Në akademi nuk mori pjesë kryetari i LDK-së dhe Kryeministri Isa Mustafa, për shkak që siç u tha gjatë saj, ai ishte në një udhëtim.

Kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidenti i parë i Kosovës Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006, pas një sëmundje të rëndë.