Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Thaçi Kritikon Nasim Haradinajn për Ofendimin Ndaj Ambasadorit të ShBA-së

Ndaj deklaratave ofenduese që nënkryetari i OVL UÇK-së Nasim Haradinaj thuhet t’i ketë bërë në adresë të ambasadorit amerikan, Greg Delawie, ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Thaçi thekson se liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Por, ka shtuar ai, shprehja e mendimit të lirë nuk duhet të keqpërdoret dhe të degradojë në fyerje, “aq më tepër ndaj ambasadorit të shtetit, me të cilin kemi miqësi të përjetshme”.

Mediat cituan sot nënkryetarin e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinajn ta ketë quajtur “palaço” ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie, për shkak të reagimeve të tij kundër nismës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Deklaratat e Haradinajt i ka kritikuar edhe kushëriri i tij dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.