Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Kosova Urgjentisht ta Kalojë Gjendjen e Izolimit

Presidenti Hashim Thaçi pas publikimit të strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor tha se Kosova duhet ta tejkalojë izolimin, duke ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit.

“Kosova urgjentisht duhet të tejkalojë gjendjen e izolimit, duke ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila sjell edhe heqjen e vizave për qytetarët tanë nga BE-ja”, shkroi Thaëi në Facebook.

Ai konsideroi që strategjia nuk i jep qartësi Kosovës në rrugën e saj europiane.

“Për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqesë një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE”, shkroi më tutje Thaçi.

Ai konstatoi se BE-ja po shfaq paaftësi për një qëndrim unik ndaj Kosovës.

“Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim”, shkroi Thaçi, duke shtuar se e mirëpret hartimin e këtij dokumenti strategjik nga BE-ja.

KALLXO.com shkroi dje për publikimin e strategjisë së BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në strategji Bashkimi Europian ka kërkuar nga Kosova që të vazhdojë të punojë në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim në mënyrë që të avancojë në rrugën e integrimit “atëherë kur ta mundësojnë rrethanat”.

Edhe qeveria vlerësoi dje se strategjia nuk ka qartësi për Kosovën.

http://kallxo.com/qeveria-ne-strategjine-e-be-se-nuk-ka-qartesi-per-te-ardhmen-europiane-te-kosoves/