Presidenti Hashim Thaçi e komisioneri Johannes Hahn (Arkiv) - Foto: Facebook

Thaçi: Kosova Ka Përmbushur të Gjitha Kriteret për Liberalizim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

Këto komente, presidenti i ka bërë në një postim në profilin e tij në “Facebook” pas një takimi që ka zhvilluar me komisionerin e Komisionit Europian, Johannes Hahn, në Bruksel.

“Tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Thaçi.

Ky është postimi i plotë i presidentit Thaçi:

“Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Sapo përfundova takimin me Komisionerin Hahn në Bruksel. Ishte një takim shumë produktiv. Institucionet e Kosovës, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Kosova do të vazhdojë përkushtimin edhe më të lartë për rend dhe ligj dhe reforma të gjithëmbarshme. Komisioneri Hahn u zotua se do të përmbushin procedurat e nevojshme në kuadër të institucioneve të BE-së. Ishte konstatim i përbashkët se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte jo vetëm përmbushje e kushtit për liberalizim të vizave, por edhe një hap i rëndësishëm strategjik për fuqizimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon”.