Takimi mes presidentëve të Kosovës dhe Turqisë | Foto: Zyra e Presidentit

Thaçi: Kosova i Është Mirënjohëse Turqisë

Presidenti Hashim Thaçi, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij, është takuar mbrëmë me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan.

Takimi Thaçi- Erdogan u bë gjatë qëndrimit të delegacioneve turke e kosovare në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

“Kosova i është mirënjohëse Turqisë për rolin e saj në përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga vendet e tjera”, i tha Thaçi Erdoganit, sipas komunikatës.

Me Thaçin në takim ishte edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe ambasadorja në ShBA Vlora Çitaku.

Thaçi gjatë takimit “ftoi për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në ekonomi”, ndërsa i bëri ftesë Erdoganit për ta vizituar Kosovën.

Kompanitë turke kanë privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe aeroportin e Prishtinës, ndërsa gjatë takimeve të mëhershme kur Thaçi e Erdogan ishin kryeministra, e kishin quajtur “vëlla” njëri-tjetrin.

Dyshimet e Turqisë për Limak-un e KEDS-it dhe Aeroportit

Thaçi e Erdogan u takuan edhe vitin e kaluar në Turqi.