Konferenca e Thaçit | Foto: KALLXO.com

Thaçi: Kosova është Kosovë, Turqia Turqi

Presidenti Hashim Thaçi duke folur për deportimin e shtetasve turq tha se Kosova është Kosovë dhe Turqia Turqi.

Ai tregoi se ka pasur vazhdimisht që nga ngjarjet e vitit 2015 kërkesa nga Turqia për ekstradime, por Thaçi deklaroi se “përgjigjja ka qenë se Kosova është vend i pavarur

Thaçi tha se “qëndrimi ynë pas zhvillimeve në Turqi pas 2015-ës ka qenë i njëjti me atë të SHBA-së dhe Bashkimit Europian”.

Thaçi deklaroi se “kush kryen veprime terroriste për mua është terrorist ku do që kryen ato veprime terroriste. Kush është terrorist për Washingtonin dhe Brukselin është terrorist edhe për mu”.

Ai situatën e sigurisë në Kosovë e vlerësoi të qetë dhe stabile.

Presidenti u shfaq i zhgënjyer dhe shprehu keqardhje për deportimin e shtetasve turq.

Thaçi tregoi se ka marrë një raport të detajuar për këtë deportim nga AKI-ja, ndërsa tha se nëse ka pasur shkelje duhet të merren masa, ndërsa u zotua se një gjë e tillë nuk do të lejohet të përsëritet më.

“Megjithatë, Thaçi tha se aktivitetet terroriste dhe të spiunazhit në vendin tonë bëhen në format më të sofistikuara të mundshme”.

Shtetasit turq që u arrestuan të enjten në një aksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe AKI-së u deportuan për arsye të rrezikimit të sigurisë kombëtare.

Ata ishin pjesë e Kolegjit “Mehmet Akif” dhe shkollave tjera të lidhura me të.

Familjarët dhe zyrtarët e Kolegjit pretendojnë se disa nga të arrestuarit po mbahen në aeroportin e Prishtinës dhe Ambasadën turjke në Kosovë, por EULEX-ia e ka kontrolluar aeroportin dhe nuk ka gjetur asgjë.

Familjarët e të deportuarve natën e kanë kaluar në aeroport, ndërsa pardje dhe dje kanë protestuar.