Foto: Facebook/Hashim Thaçi

Thaçi Insiston për Ushtrinë, Por Serbët Nuk Binden

Në një konferencë të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Europiane dhe Zhvillim (RIDEA) që i kushtohej perspektivës së FSK-së, Thaçi erdhi me lajmin se sot i ka shkruar një letër kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që ta tërheqë nga agjenda propozimin e tij të para një muaji për ndryshimin e Ligjit të FSK-së, përmes të cilit ai pretendonte ta bënte FSK-në ushtri duke shmangur ndryshimet e kërkuara kushtetuese.

“Unë sot i kam dërguar sot një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Veseli përmes të cilës kam kërkuar që iniciativa për ndryshimin e mandatit dhe rolit të FSK-së të mos vihet në rend të ditës edhe për pak kohë, përderisa institucionet tona dhe partnerët tanë strategjikë nuk përfundojnë edhe këtë përpjekje të fundit për të siguruar mbështetjen e të gjitha komuniteteve që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese”, tha Thaçi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës janë të përgjegjshme se themelimi i ushtrisë duhet bërë “pa humbur kohë”.

Por zëvendës kryeministri Branimir Stojanoviq, përfaqësues i Listës Serbe, kundërshtoi transformimin e FSK-së në ushtri duke thënë “nuk është e vërtetë që serbët mbështesin themelimin e ushtrisë”.

Madje ai relativizoi edhe praninë e një numri të serbëve brenda FSK-së duke thënë se ata janë aty “vetëm sa për një pagë”.

“Institucionet janë bërë partiake dhe private sepse nuk kemi plan serioz për të ndërruar cilësinë e jetës. Kjo është një anë tjetër e mentalitetit tonë ballkanik sepse është më së lehti të dëgjoni çfarë ju pëlqen. Nëse dikush mundohet që të thotë se FSK është multientike pasi i kanë marrë disa serbë nëpër fshatra dhe ata janë në gjendje të veshin çfarëdo vetëm që të marrin një rrogë, madje edhe një uniformë të tillë”, tha Stojanoviq.

“Edhe nëse bëhet ky transformim cilësia e jetës nuk do të përmirësohet. Problemi dhe mospajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve është i madh dhe i vjetër. I ftoj të gjithë t’u kthehemi problemeve të vogla dhe më pas atyre të mëdha sepse të gjitha po vuajmë prej të kaluarës”, tha Stojanoviq.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tha se Kosova duhet ta mbrojë veten pas largimit të KFOR-it, mirëpo e tëra duhet të bëhet përmes partnerëve kryesorë siç janë SHBA-të dhe aleatët tjerë. Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë ata që duhet të vendosin se çfarë duan.

“Kosova duhet të ketë aftësi legjitime për të mbrojtur veten para se të largohet KFOR-i. Ne e kuptojmë se në plan afatgjatë, Kosova ka nevojë legjitime për aftësi të vetëmbrojtjes dhe ne sigurisht se e mbështesim Kosovën prapë”, tha ambasadori amerikan.

“Por ne jemi të shqetësuar se ndryshimet legjislative nuk mund të bëhen përmes paqes kushtetuese dhe se Forcat e Kosovës duhet të ndërtohen me kohën me ndihmën e partnerëve kyç siç janë SHBA-të dhe aleatët tjerë., tha Delawie.

Didier Chabert, ambasador i Francës në Kosovë, shprehu bindjen e tij se askush nuk do të përdorë veto kundër Kosovës dhe se ligji duhet të respektohet.

Ai theksoi se Kosova do të ketë mbështetjen e plotë të Francës.

“Transformimi i FSK-së duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe në përputhje me kushtetutën. Franca është e gatshme të punojë me Kosovën dhe me anëtarët e tjerë të NATO-s për themelimin e Forcave të Armatosura”, tha Chabert.

Profesori Daniel Serwer nga Universiteti “John Hopkins” tha se Kosova duhet të ketë mundësinë që të mbrojë vetveten pasi që KFOR-i nuk do të jetë gjithmonë në Kosovë.

Ai gjithashtu theksoi se zgjidhja e problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve përfundon me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

“KFOR-i mbron sovranitetin dhe territorin e vendit, por kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë. Kur KFOR-i të largohet, atëherë do të ju nevojiten kapacitet për të mbrojtur veten, të paktën për disa javë dhe për këtë arsye ju duhet që të mendoni edhe për karakterin e forcës së sigurisë suaj”, tha Serwer.

“Serbët kanë nevojë të binden që transformimi i FSK-së nuk do të përdoret kundër tyre. Kosova dhe Serbia do të ishin më mirë pa koston për përgatitje për luftë kundër njëra tjetrës. Serbia duhet të njoh sovranitetin dhe territorin  e Kosovës dhe të shkëmbejnë diplomatë”, shtoi Serwer.