Thaçi Informohet për Progresin e Transformimit të FSK-së në FAK

Pas vizitës së zëvendës-ndihmës-sekretares së Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, si dhe ministrit të shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster, me të cilët Thaçi bisedoi ditë më parë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ai sot u informua nga gjenerallejtënant Rrahman Rama edhe për progresin e bërë muajve të fundit rreth transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Sipas një komunikate për medie nga presidenca, Thaçi vlerësoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është shembull i përfaqësimit shumetnik.

“FSK-ja ka arritur të bëhet një forcë profesionale, me standarde të NATO-s, e cila është shembull i përfaqësimit gjinor dhe etnik.

Transformimi i saj në Forca të Armatosura të Kosovës është në të mirën e qytetarëve të të gjitha komuniteteve dhe mbi të gjitha, në të mirën e shtetit tonë të përbashkët”, tha Thaçi.

Ndërsa, gjenerallejtënant Rrahman Rama theksoi se Forca e Sigurisë është e përgatitur dhe është e gatshme të marrë përgjegjësi shtesë.

Në takimin e Thaçit me komandantin e FSK-së u vlerësuan edhe mesazhet e dhëna nga zëvendës-ndihmës-sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, si dhe nga ministri i shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster, të cilët kishin shprehur përkushtimin e tyre për të krijuar një platformë të qëndrueshme, duke theksuar se çelësi i suksesit në transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura është bashkëpunimi dhe partneriteti me NATO-n./21Media