Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli - Foto: Atdhe Mulla

Thaçi: Fqinjët Transformimin e FSK-së ta Shohin si Hap Demokratik

Presidenti Hashim Thaçi ka bërë përgjegjës deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës për mosshndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Thaçi përkujtoi se tri vite më parë ka paralajmëruar themelimin e FAK-ut, por realiteti është ky që është “për shkak të situatave tashmë të njohura”.

“Deputetët serbë e kanë bërë të qartë me dhjetëra herë se kurrë nuk do ta votojnë shndërrimin e FSK-së në Ushtri. Është për keqardhje kjo… Mirëpo, Kosova nuk mund ta lërë fatin e saj në dorë të askujt”, theksoi presidenti Thaçi në ceremoninë e dorëzimit të Projektligjit për FSK-në te kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Presidenti Thaçi theksoi se Projektligjin që FSK-në e bën Ushtri të Kosovës e ka dorëzuar bazuar në kompetencat e tij kushtetuese si president dhe komandant suprem i FSK-së.

Sipas tij, Projektligji e rregullon misionin, funksionin dhe detyrat e FSK-së, organizmin e saj dhe çështje të tjera.

“Me ndryshimin e misionit, FSK do të bëhet ushtri funksionale, që do t’i mbrojë qytetarët e saj dhe të jetë garantuese e paqes në vend si dhe në rajon e botë nëse kërkohet”, tha presidenti, duke i ftuar shtetet anëtare të NATO-s të vazhdojnë ta ndihmojnë FSK-në.

Sipas presidentit të Kosovës, Projektligji për FSK-në nuk do të ketë implikim në rolin e KFOR-it në Kosovë.

Po ashtu, presidenti Thaçi theksoi se shtetet fqinje duhet ta kuptojnë këtë hap të shndërrimit të FSK-së si “një hap demokratik”.

Thaçi shfaqi shpresën se Projektligji do ta marrë përkrahjen e të gjitha partive politike.

Ndërsa, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se nesër do ta ftojë Kryesinë e Kuvendit për të proceduar Projektligjin për FSK-në.