Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi Flet për Forcim të Shtetit

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në opinionin e tij për festën e Viti të Ri ka uruar për më shumë mbarësi për vitin që po vjen.

Ndërkohë ka ndarë disa momente reflektimi për vitin që po lëmë pas dhe vitin e ri 2018.

Sipas presidentit Thaçi, në janar të vitit 2017, ka pasur provokim irritues dhe irracional me nisjen e trenit me parulla nacionaliste nga Beogradi në drejtim të Kosovës, i cili sipas tij nuk e arriti cakun, por gjithsesi shërbeu si një rikujtim i brishtësisë së paqes dhe stabilitetit.

Ndërsa, krejt në fund të vitit, në pjesën e dytë të dhjetorit 2017, ka përmendur  lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë amerikane “Countour Global” e cila do të investojë me një shumë prej 1.3 miliard euro në projektin e termocentralit “Kosova e Re”, dhe do të hapë 10.000 vende të reja të punës.

Thaçi është shprehur i lumtur që zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme kanë qenë të organizuara mirë, të lira dhe demokratike.

“Kjo nuk e mohon faktin se përsëri kemi pasur vazhdim të përçarjeve të brendshme, përshkallëzim të retorikës, e cila më së paku i shërben qytetarit dhe interesit shtetëror”, tha Thaçi.

Sipas tij, para vetes kemi një vit të rëndësishëm ku do të shënohet dhjetëvjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Një dekadë shtetësi duhet të paraqesë një mundësi të jashtëzakonshme. Ne duhet të jemi të fokusuar në interesin tonë shtetëror të përbashkët dhe t’i qëndrojmë besnik qëllimit tonë të konsolidimit të shtetit dhe të përfundimit të detyrës sonë të përbashkët të forcimit të funksionit të shtetit, përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarit, përmirësimit të pozitës së vendit tonë të rajon dhe botë”, u shpreh presidenti.

Presidenti Thaçi, më tutje ka theksuar se nuk do të ketë festim më të denjë të dekadës së parë të shtetësisë se dhënia fund e paqartësive të brendshme, përmbushja e obligimeve ndërkombëtare dhe rrjedhimisht përfundimi i izolimit, duke përfituar nga liberalizimi i vizave.

“Duhet ta përfundojmë punën e mbetur për përfundimin e procesit të reformës zgjedhore, avancimin në punën e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe përfundimin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes njohjes së ndërsjellë dhe përfundimit të pengesave bilaterale në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO”, tha ai.

Sipas tij, duhet edhe më tej të punojmë drejt krijimit të kushteve ekonomike për të rritur produktet dhe eksportet tona, për të tërhequr investime të huaja dhe për të integruar bizneset e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

“Ende kemi probleme me ekonominë joformale dhe mbledhjen e të ardhurave, që ndikojnë në financat tona publike. Niveli i inovacionit dhe cilësia arsimore duhet të përmirësohen. Nuk duhet harruar që Kosova ende vazhdon të ketë një shkallë të lartë të papunësisë, që mund të zbutet dukshëm nëse me seriozitet i qasemi së bashku reformave të nevojshme”, tregoi Thaçi.

Thaçi tha se shpesh ndjehen të zhgënjyer që procesi i integrimit europian nuk është më i shpejtë. Vonesat sipas tij, po krijojnë hapësirë për aktorët tjerë të cilët përpiqen të cenojnë vlerat tona civilizuese perëndimore.

Për fund, Thaçi ka uruar që të gjithë së bashku të gjejnë energjinë që të përballemi me të gjitha këto tema të rëndësishme.

“Nga dita e fundit e vitit që lëmë pas, në ditën e parë të vitit të ri, jemi të njëjtit njerëz, me po të njëjtin fat, me të njëjtat mundësi e sfida para vetes. Por, e mira është që ne vetë jemi ata që e kemi mundësinë t’i ndryshojmë gjërat për të mirë. Prandaj, uroj që secili qytetar, ne bashkë si shoqëri, të punojmë sa më shumë që në vitin që vjen, t’i influencojmë gjërat pozitivisht në vetvete në rrethin tonë dhe për shtetin tonë”, përfundon Thaçi.