Nga takimi i korrikut 2017 Thaçi- Vuçiq. Foto: BE

Thaçi e Vuçiq Pajtohen ‘Fazë të Re’ të Dialogut Kosovë- Serbi

Në takimin e ndërmjetësuar nga shefja e Bashkimit Europian për Politikë të jashtme, Federica Mogherini, dy presidentët thanë se janë të gatshëm për të lëvizur në tema të reja.

Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Mogherinit pas takimit thuhet se Thaçi e Vuçiq janë pajtuar për të punuar në “nisjen e një faze të re” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtim.

Thaçi e Vuçiq gjithashtu kanë vendosur edhe që ekipet e dy vendeve të fillojnë punën në përgatitjen e këtij dialogu.

“Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog pa vonesa”, thuhet në deklaratën e zyrës së Mogherinit.

Në këtë takim, Mogherini, nga ana e saj, thuhet të ketë konfirmuar angazhimin e BE-së për perspektivën europiane të tërë Ballkanit Perëndimor.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i gatshëm për të vazhduar dialogun në fazën e re.

“Lëvizja nga normalizimi teknik në pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë shumë punë, mirëbesim dhe durim. Por pajtimi dhe marrëdhëniet e normalizuara të fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës e Serbisë është një synim për të siguruar paqe për fëmijët tanë. Synim për të cilin ia vlen”, tha Thaçi.

Ndërsa homologu i tij serb, Vuçiq, tha se nevojitet “seriozet dhe kurajo” për të biseduar për marrëdhëniet e të ardhmes.