Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: ZPRK

Thaçi: Dialogu me Serbinë do të Rezultojë me Njohje Reciproke e Pajtim

Në fund të procesit të dialogut Kosovë-Serbi do të kemi njohjen reciproke dhe pajtimin, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në tryezën për të ardhmen e këtij dialogu të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Po ashtu, presidenti tha se në fund të procesit do të ketë një kualitet më të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Presidenti theksoi se disa prej pikave të marrëveshjes së vitit 2013 janë implementuar, disa janë në proces të implementimit dhe disa kanë ngecur, por, shtoi ai, ajo që është e rëndësishme është se këto marrëveshje e kanë ndryshuar në tërësi gjendjen në veri të Kosovës.

Rreth dialogut me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE, Thaçi tha se kemi konsensus të plotë rreth nevojës për të, por ka dallime rreth mënyrës së realizimit të tij.

Prandaj, theksoi ai, ka propozuar krijimin e Ekipit të Unitetit, i cili do të ketë përfshirje të gjerë, për përmbylljen e këtij procesi.

Sipas presidentit Thaçi, nga dialogu do të ketë tre fitues: Kosova, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare.