Presidenti Hashim Thaçi - Foto: Facebook

Thaçi Dënon ‘Djegien’ e Shtëpisë në Ndërtim të një Serbi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar pas incidentit në fshatin Dragolec të Istogut, ku i është vënë zjarri shtëpisë në ndërtim të një qytetari të komunitetit serb.

Në profilin e tij në “Facebook”, presidenti Thaçi thekson se kthimi i familjeve të zhvendosura prej pronave të tyre është një proces i drejtë dhe çdo incident ndëretnik, sado i vogël të jetë, e dëmton paqen, stabilitetin dhe procesin e pajtimit në shoqërinë tonë shumetnike.

“Incidentet si ky i sotmi në fshatin Dragolec të Istogut, ku është sulmuar lokacioni i përgatitur për shtëpitë e të kthyerve, janë të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës”, ka theksuar presidenti.

Thaçi ka vlerësuar se është për mirëseardhje kthimi vullnetar dhe spontan i 13 familjeve në fshatin Lubozhdë, duke shtuar se procesi duhet të përkrahet nga të gjithë e jo të pengohet.

Presidenti u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë më shumë për lehtësimin e kthimit të të zhvendosurve, si dhe për sigurinë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

“Nuk mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë nëse mbesim peng të së kaluarës”, ka shkruar në fund Thaçi.

KALLXO.com raportoi për incidentin për të cilin ka reaguar presidenti.

http://kallxo.com/vihet-zjarri-shtepise-ne-ndertim-te-nje-serbi-ne-istog/