Dekorimi me Medaljen Presidenciale i Nicolas Sarkozy, Foto: Facebook

Thaçi Dekoron Ish-Presidentin Francez, Nicolas Sarkozy

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare edhe ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy.

Thaçi ka shkruar në Facebook se çdo qytetar i Kosovës e mban në mend deklaratën e famshme të ish-presidentit Sarkozy kur paralajmëroi disa ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në një shkollë fillore në Paris, se harta evropiane do të ndryshojë dhe pasurohet me një shtet të ri, Republikën e Kosovës.

“Sot pata nderin që ish-presidentin Sarkozy, që punoi palodhshëm për njohje ndërkombëtare të pavarësisë sonë, ta dekoroj në emër të shtetit dhe të popullit të Kosovës me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë. Kosova ka të ardhme të sigurt me miq nga i tërë spektri politik francez që përgjatë dekadave ishin mbrojtës dhe promovues të konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi në postimin e tij.