Dekorimi i gjeneralit Clark | Foto: Facebook

Thaçi dekoron gjeneralin Clark

Presidenti Hashim Thaçi njoftoi sot se dekoroi me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë gjeneralin amerikan Wesley Clark.

“Gjeneralin amerikan, Wesley Clark, i cili ishte shumë këmbëngulës për të siguruar lirinë dhe paqen në Kosovë, sot e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë”, shkroi Thaçi në facebook.

Presidenti konstatoi se me dekoratën për Clarkun nderon edhe amerikanët tjerë.

“Kjo dekoratë për gjeneralin Clark vjen si mirënjohje edhe për mijëra qytetarë e ushtarë amerikanë, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën”, shpjegoi Thaçi.

Ai e tregoi edhe mirënjohjen për Amerikën.

“Populli i Kosovës u është përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjeneralit Clark”, shkroi Thaçi.

Clark në vitin 1999 drejtoi bombardimet e NATO-s ndaj caqeve të ish-Unionit Serbi- Mali i Zi.

Bombardimet përfunduan me tërheqjen e forcave të këtij unioni nga Kosova.

Presidenti Thaçi Medaljen Presidenciale Jubilare ua ka dhënë personaliteteve të ndryshme në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Disa nga të propozuarit për këtë medalje e kanë refuzuar atë.