Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Autoritetet ta Respektojnë Rezolutën e Kuvendit për Rrënimin e Murit

Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media një ditë pas takimit në Bruksel me palën serbe tha se zhvillimet e fundit provokative dhe të natyrës nacionaliste nga pala serbe ndikuan që takimi i tij dhe i kryeministrit Mustafa me homologët e tyre serbë, Tomislav Nikoliq, respektivisht Aleksandar Vuçiq, të jetë i rëndë.

I pyetur se për çfarë saktësisht është biseduar mbrëmë në Bruksel, presidenti theksoi se gjithçka që është biseduar ka dalë tashmë në media.

“Mendoj se ka pasur mirëkuptim ndërmjet palëve për uljen e tensioneve dhe t’i përkushtohemi dialogut me seriozitetin më të madh”, shtoi Thaçi.

Sipas presidentit, pala kosovare është zotuar që të  punojë për ruajtjen e paqes dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Qëllimi kryesor i këtyre takimeve ka qenë shmangia e provokimeve dhe kjo është arritur”, tha Thaçi.

“Dua të shpresoj se edhe Beogradi do t’i përmbushë zotimet për uljen e tensionit dhe ndaljen e provokimeve”, u shpreh ai.

Presidenti theksoi se duhet të punohet ende që të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve.

“Kemi arritur në fazën finale dhe presin dhe shpresoj se me ndihmën e zonjës Federica Mogherini ne do të mund të negociojmë dhe të arrijmë marrëveshje përfundimtare dhe të plotë”, shtoi presidenti.

Më tej presidenti Thaçi foli edhe për murin e ndërtuar në veri të Mitrovicës.

Ai tha se autoritetet e vendit duhet t’i respektojnë rezolutat që janë nxjerrë nga Kuvendi.

“Autoritetet e vendit duhet t’i respektojnë rezolutat e nxjerra nga Kuvendi i Kosovës. Por, do të ishte mirë që ata që e kanë ndërtuar ta heqin vetë”, tha Thaçi.

http://kallxo.com/miratohet-rezoluta-per-rrenimin-e-murit/

Mbrëmë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë takuar presidenti dhe kryeministri i Kosovës me homologët e tyre serbë.

Ky ishte takimi i nivelit më të lartë që nga nisja e këtij dialogu mbi bazën e marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013.

http://kallxo.com/mogherini-pret-takime-tjera-kosove-serbi-ne-ditet-e-ardhshme/