Fotografi nga takimi në rezidencën e famljes Rugova në lagjen 'Velania'. Foto: Facebook

Teuta Rugova flet për Takimin me Haradinajn

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Teuta Rugova e ka thyer heshtjen. Thotë se do të votojë, siç ka votuar deri më tani, duke mos treguar nëse e përkrah Haradinajn për kryeministër.

“Unë jam deputete e zgjedhur e LDK-së dhe ashtu si kam vepruar e votuar në të kaluarën do të veproj edhe gjatë këtij mandati duke pasur interes primar gjithmonë ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Rugova.

Deputetja e LDK-së, Teuta Rugova në një komunikatë për media, nuk ka treguar qartë për vendimin e saj nëse do e votojë apo jo Qeverinë Haradinaj.

“Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokojë proceset dhe të injorojë rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së”, ka shkruar Rugova.

Rugova i ka bërë thirrje LDK-së të përfshihet në qeverinë e gjerë.

“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Rugova.

Thotë se babai i saj nuk do t’i bllokonte proceset.

“Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së”, ka shkruar deputetja e LDK-së dhe vajza e Presidentit historik, Ibrahim Rugova, Teuta Rugova.

Ajo si duket nuk dëshiron bllokadë institucionale në Kosovë. Madje ka kërkuar nga ata që po tentojnë të bllokojnë, ta bëjnë me Serbinë e Mitrovicën.

“Nëse dikush dëshiron inate dhe bllokada, ja ku është Serbia, ja ku është Mitrovica, ja ku është inati me BE-në që po na mbanë të izoluar, ja ku janë shtetet që nuk na njohin dhe ja ku janë grupet politike që anatemojnë shtetin tonë! Unë e di se si do të kishte vepruar babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova! E dini edhe JU! Andaj veproni!”, thuhet në letrën e saj.

Ajo thotë se qëndrimi i saj në Kuvend kur u zgjodh president, Hashim Thaçi është traditë nga babai i saj.

“Unë e di se me qëndrimin tim në sallën e Kuvendit dhe me pjesëmarrjen time në votimin për president ne shkurtin e vitit te kaluar mund të ju kam zhgënjyer, mirëpo kjo ka qenë drejtpërdrejtë vazhdimësi e traditës së babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që të respektojmë marrëveshjet dhe të bëjmë kompromise të mëdha”, ka shkruar ajo.