Tetë Kërkesa të Hades për Qeverinë, Komunën e KEK-un

Banorët e mbetur në fshatin Hade që po presin shpronësimin e premtuar nga KEK tash e më shumë se 10 vjet më kot kanë pritur sot në shi përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Në takimin e paralajmëruar morën pjesë vetëm zyrtarët e KEK-ut ndërsa temë e këtij takimi ka qenë zhvendosja e tyre nga ky fshat.

Ruzhdi Mirena, përfaqësues i lagjes Mirena tha se u janë drejtuar, KEK-ut, Qeverisë, Komunës, me tetë kërkesa dhe presin realizimin e tyre.

Në listën e kërkesave bëjnë pjesë punësimi i disa personave nga fshati në KEK, vlerësimi i pasurisë sipas çmimit të tregut, ndarja e parcelave e trojeve në Haden e Re në afat sa më të shkurtër si dhe marrjen e obligimit nga KEK që pagesat dhe të gjitha kompensimet e tjera të bëhet me një afat prej 15 ditësh.

“Sot erdhën për të bërë regjistrimin e pasurive por banorët pa i plotësu këto kërkesa nuk kanë pranuar”, shtoi Mirena.

Ai shtoi se deri në realizimin e këtyre kërkesave dhe pa nënshkrimin e marrëveshjes së shpronësimit nuk do të lejohet incizimi dhe vlerësimi i pasurisë së banorëve të Hades.

Këto kërkesa banorët i kanë bërë pasi që siç thonë ata asgjë nuk funksionon në Haden e Re.

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor këtë vend e kishin shpallur me interes nacional për shkak të mihjeve sipërfaqësore, çka kishte çuar në dislokimin e disa lagjeve nga kjo zonë.

Zhvendosja e banorëve të Hade ka qenë temë e hulumtimit të javës së kaluar në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Tokat Mbi Qymyr