‘Terrori’ me Djegien e Makinave

Disa vetura të institucioneve, të zyrtarëve shtetërorë e të familjarëve të tyre janë djegur gjatë vitit 2016 në kuadër të asaj që dukej si një fushate e organizuar nga persona të panjohur.

Djegia e veturave ishte vazhdim i akteve të tilla që kishin ndodhur në vitin paraprak, sidomos në muajin dhjetor të vitit 2015.

Ndonëse ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, pati thënë se kanë “pista të sigurta” se kush po i kryen këto djegie, zyrtarisht asnjë person nuk është prangosur për këto veprime.

Në fund të dhjetorit 2015 u dogj vetura zyrtare e Ministrisë së Kulturës, të cilën Muharrem Sahiti, këshilltari i ministrit, e kishte parkuar te shtëpia e tij në Gjilan.

Pastaj, dukuria e djegies vazhdoi më 2 janar 2016 me veturën zyrtare të djegur në parkingun e Komunës së Mitrovicës.

http://kallxo.com/nje-veture-zyrtare-digjet-ne-mitrovice/

Më 6 shkurt, pati tentim djegie të veturës së policit N.M., pjesëtar i Njësitit Antidrogë të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore.

Pak kohë pas mesnatës, më 24 shkurt,është djegur në Prishtinë vetura e bashkëshortes së ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi.

KALLXO.com solli pamje ekskluzive nga ky akt.

http://kallxo.com/vetura-e-memli-krasniqit-ne-flake/

Të njëjtën ditë, rreth mesditës, flaka i është vënë edhe veturës së bashkëshortes së zëvendësministrit të Adminitrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

Gecaj dyshonte se ky akt është kryer nga aktivistët e Vetëvendosjes.

http://kallxo.com/digjet-vetura-familjare-e-bajram-gecajt/

Më 29 shkurt ka pasur tentim-djegie të veturës familjare të ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

http://kallxo.com/pdk-denon-djegien-e-vetures-se-adem-grabovcit/

Më 7 mars, në Prishtinë i është vënë flaka edhe një veture të LDK-së.

Pas shpeshtimit të këtyre rasteve, Policia mori masa për parandalimin e këtyre akteve kriminale, duke shtuar praninë në qytete të policëve të uniformuar dhe në rroba civile.

http://kallxo.com/police-shtese-per-parandalimin-e-djegies-se-veturave/

Pasi që më 16 mars u dogjën një veturë e gjykatës së Malishevës dhe ajo e prokurorit special Ali Rexha në Mitrovicë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës doli me urdhër që të ruhen veturat zyrtare të organeve të drejtësisë.

http://kallxo.com/ekskluzive-gjykatesit-porositen-ti-ruajne-veturat/

Në këto raste, përveç dëmeve materiale nuk ka pasur dëmtime në njerëz.

Pas valës së djegies së veturave zyrtare dhe të personaliteteve publike në tre muajt e parë të vitit, më 14 mars, ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, kishte thënë se organet e rendit në Kosovë kanë ‘pista të sigurta’ se kush po i kryente këto akte.

Por, zyrtarisht, askush nuk është prangosur deri më sot për këto sulme ndaj pasurisë publike dhe private.

As përgjegjësinë askush nuk e ka marrë deri më sot për këto sulme.