Tërpeza e Epërme pa Kanalizim dhe Trotuar nga Paslufta

Fshati Tërpezë e Epërme në Komunën e Malishevës tash e 18 vjet po përballet me mungesën e rrjetit të kanalizimit dhe trotuareve në rrugë.

Banorët e këtij fshati ankohen se këto dy mungesa po ua vështirësojnë jetën në aspektin e shëndetit dhe sigurisë.

Fadil Krasniqi që ka raportuar në KALLXO.com thotë se janë neglizhuar nga të gjitha partitë që e kanë udhëhequr këtë komunë dhe zotimet aktuale sipas tij janë të mangëta.

“Jemi afër dikund 100 shtëpi, kanalizim nuk ka, trotuar nuk ka dhe nxënësit janë të rrezikuar shumë. Duhet me u ndalë prindi prej punës për me dërgu fëmijën në shkollë. Prej pas luftës nuk kemi pasë [kanalizim], tash me një mbledhje kanë thënë 1000 metra, 1000 metra nuk mjaftojnë për një shtëpi”, tha Krasniqi

Në anën tjetër, sipas Blerim Krasniqit , banor tjetër në këtë lagje, mungesa e kanalizimit po u rrezikon edhe ujin e pijshëm.

“Dëmet shihen, ka dëme të mëdha, ka erë, dritaret nuk mundemi me i çelë për ajrosje. Uji ka dalë edhe poshtë në do bunarë atje uji më nuk pihet. Problem për neve është edhe një trotuar që nuk kemi”, tha Krasniqi.

Në këtë fshat edhe objekti i shkollës “Hasan Prishtina” nuk ka kanalizim.

Për të gjitha këto ankesa, drejtori i Urbanizmit të Malishevës Ahmet Morina i ka dhënë afat vetes disa muaj për të ofruar zgjidhje.

Sipas tij, procedurat e prokurimit kanë përfunduar dhe deri në verën e këtij viti , Tërpezës dhe fshatrave të tjera do t’u zgjidhet problemi i kanalizimit.

“Sot kemi startu me kanalizimin e atij fshati dhe po besoj që brenda këtyre dy-tre muajsh që do ta përfundojmë kanalizimin edhe në Tërpezë edhe në fshatrat tjera. Ndërkaq brenda kësaj vere do të përfundojnë të gjitha kanalizimet e fshatrave të Komunës së Malishevës”, tha Morina.

KALLXO.com më 12 shkurt shkroi për mungesë trotuaresh edhe në fshatin Sllatinë e Vogël të Fushë-Koosvës.

http://kallxo.com/banoret-e-sllatines-kerkojne-trotuare/