Naim Tërnava

Tërnava: Jemi të Obliguar ta Forcojmë Paqen

Në mesazhin e tij për Festën e Fitër- Bajramit, myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka bërë thirrje për angazhim që forcon paqen.

“Me punët tona të përditshme jemi të obliguar  të forcojmë  paqen, mirëqenien, dashurinë, respektin e solidaritetin mes njerëzve, larg dhunës, konflikteve, gjakderdhjeve e ekstremeve të ndryshme”, thuhet në mesazhin e Tërnavës.

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës ka treguar edhe cili është misioni i fesë islame.

“Misioni ynë në këtë botë është të hapim shtigjet e lumturisë për njerëzimin –  ky është  misioni primar i fesë islame”, vijon mesazhi i Tërnavës.

Ai kërkoi edhe të ndihmohen të pafuqishmit dhe të varfrit.

“Ndihmoni jetimët, skamnorët, njerëzit në nevojë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj. Sofra e Bajramit është simbol, i cili bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin e nderin mes besimtarëve”, thotë Tërnava në urimin e tij.