Falja e Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe - Foto: 21Media

Tërnava: Dashakeqët Mbollën Urrejtje, Por Ka një Rrugë

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, i ka uruar Fitër Bajramin gjithë qytetarët të besimit islam.

Tërnava ka kërkuar nga të gjithë që të largohen nga çdo punë e ligë dhe të shtrinë dorën e pajtimit dhe bashkërisht të përkujdesën ndaj të varfërve.

Ai ka thënë se dashakeqët që duke përdorë strategjitë të ndryshme arritën të fusin në mesin tonë njerëz të cilët në fenë e pastër mbollën paqartësi e urrejtje në mes besimtarëve, duke shtrembëruar dhe keqinterpretuar pastërtinë islame me teza joreale.

“Çdokush që tenton t’i shtrembërojë ato, duhet ta ngrisim zërin dhe t’i themi se islami është i pastër. Edhe sot nga ky vend i shenjtë i themi të gjithëve se një rrugë të vetme ka, e ajo është rruga e paqes dhe dashurisë. Askush nuk ka mundësi të bëjë dashurinë ndaj Allahut në ndonjë rrugë tjetër”, tha ai.

Tërnava ka apeluar te të gjithë përfaqësuesit politikë që të lënë anash interesat personale e partiake dhe të angazhohet seriozisht në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit e popullit, sepse para vetes kemi shumë sfida dhe punë. /21Media