Tërmkolli- Opozitës: Keni Ra në Kurthin e Tjetërkujt

Në seancën e Kuvendit për mocionin e mosbesimit të qeverisë, deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli, nismën e Fatmir Limajt me përkrahje të partive opozitare, nuk e konsideroi të tyren.

“Mocioni, më vjen keq, por duhet ta them. pasi ashtu po e shoh dhe shprehi keqardhje të madhe pse keni ra në kurthën e tjetërkuj”, tha Tërmkolli.

Ajo mocionin e konsideroi vepër të PDK-së.

“Por nuk është mirë dhe është një pozitë e mjerueshme, pozitë mjerane e PDK-së me u mshefë pas opozitës”, tha Tërmkolli.

Për Tërmkollin Kosova nuk mund të konsiderohet se ka ngecur ekonomikisht për shkak të qeverisë, por për arsye tjera.

“Krimi e korrupsioni, veprimet mafioze, zhvatjet e grabitjet që po i bëhen shtetit e qytetarëve, janë pengesat kryesore për biznes, janë pengesat kryesore për zhvillim ekonomik”, tha Tërmkolli.

Kohëve të fundit kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së ka përsëritur vazhdimisht se qeverisë në të cilën edhe partia e tij është e përfshirë i ka munguar vendimmarrja.

Meliate Tërmkolli akuzoi deputetët ë PDK-së se nuk po marrin pjesë në vendimmarrjen në Kuvend.

“Ka nja 4-5 muj qe kryetari i Kuvendit nuk po udhëheqë seancat në Kuvend, po themi qe s’ka vendimmarrje, a vendimmarrja është këtu në Kuvend. Së fundi, ministrat e PDK-së nuk marrin pjesë në qeveri.E vendimmarrja është në edhe në qeveri”, tha Tërmkolli.

Ajo konstatoi se e vërteta po mbulohet.

Nashta për herë të parë Kosova ka më së paku pengesa burokratike në të bërit biznes, por qëllimshëm po harrojmë me thanë, s’po dojmë më thanë se po dojmë me e mbulu të vërtetën.