Ugur Toksoy

Tërhiqet Kërkesa për Ekstradim të Shtetasit Turk Ugur Toksoy

Më shumë se një muaj pasi që ishte arrestuar me urdhër të prokurorisë dhe me kërkesë të Republikës së Turqisë, shtetasi turk me banim në Kosovë, Ugur Toksoy,  u lirua sot nga çfarëdo frike se mund të ekstradohej në shtetin e tij amë.

Kjo pasi që prokuori Ali Rexha tërhoqi kërkesën për esktradim të Toksoy-t.

Rexha deklaroi se kishte kërkuar plotësimin e provave nga Republika e Turqisë, por ato nuk kishin arritur asnjëherë.

Tërheqja e kërkesës për ekstradim nuk i la asnjë rrugë tjetër Gjykatës përveç se ta përfundojë seancën dhe ta ndërpresë procedurën e ekstradimit.

Pas mbarimit të seancës, Toksoy falënderoi Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën për sjelljen.

Edhe avokati i Toksoyt, Adem Vokshi, tha se Gjykata mori vendimin më të drejtë të mundshëm ndërsa porositi shtetin turk “të mos e ngarkojë Kosovën” me kërkesa të tilla për ekstradim të cilat, sipas tij, nuk kanë asnjë provë.

Ugur Toksoy kërkohej nga Turqia si i lidhur me Lëvizjen e Fetullah Gulenit.

Ai ishte arrestuar në fund të muajit tetor, ndërsa më pas i ishte caktuar paraburgimi.

Toksoy nga paraburgimi u lirua më 3 nëntor, me dorëzani prej 5 mijë eurosh.