Pamje nga vija bregdetare e Shqipërisë | Foto: Loreta Cuka

Tërheqja e Turistëve me Sportet e Natyrës

Kepi i Rodonit në Durrës ishte këtë fundjavë destinacioni i një grupi të rinjsh nga Tirana, të cilët iu bashkuan nismës “Di Një Vend”.

Kjo nismë, e financuar nga Ministria e Turizmit dhe partnerë të tjerë, e organizuar nga Klubi “Discover Albania” në bashkëpunim me agjenci të tjera aventuriere në Shqipëri, ka për synim promovimin e turizmit dhe kulturës së zonës.

Për dy ditë, aventurierët shijuan kampingun, xhirot me biçikletë, shëtitjet me makinë në rrugë të pashkelshme, kajakë, joga dhe pikat turistike si Kalaja e Skënderbeut dhe kisha e vjetër e zonës.

Ismail Hoxha, nga Klubi “Discover Albania” shprehet entuziast për potencialet e Kepit të Rodonit dhe turizmin këtu.

“Kepi i Rodonit është një ndër zonat shumë afër Tiranës, rreth 70 kilometra nga Tirana, që megjithëse është mjaft i njohur si zonë, shumë pak persona e kanë vizituar dhe e dinë sa e bukur është si zonë,” tha Hoxha për BIRN.

Ndërsa shëtit aventurierët me një xhip në rrugët plot gropa të fshatit, Paola Tasho, nga agjencia “Albania Adventure” thotë për BIRN se Shqipëria ka shumë për të ofruar, për ata që janë gati të eksplorojnë.

“Shqipëria është akoma një vend i virgjër dhe i paeksploruar… mjafton vetëm pak dëshirë për ta eksploruar dhe për të nxjerrë gjërat më të bukura që ajo ka për të ofruar,” shtoi Tasho.

Organizatorët shprehen se nisma “Di1Vend” do të vazhdojë aktivitetet promovuese për turizmin shqiptar në pika të tjera interesante me çmime simbolike.

Marrë nga reporter.al