Tentohet të Digjet Vetura e Policit Antidrogë në Veri

Polici i Njësitit Antidrogë të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, makinën e kishte parkuar afër pikës statike të karabinierëve italianë.

Makina është dëmtuar nga vënia e zjarrit, por nuk është djegur tërësisht.

Lajmin për djegien në tentativë të kësaj makine e konfirmoi për KALLXO.com zëvendësdrejtori i policisë në veri Besim Hoti.

“Policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe është duke i kryer hetimet, gjithashtu do të shikohet ndonjë kamerë sigurie, e cila kish me ndihmu gjetjen e kryesit të veprës,” tha Hoti.

Nuk është hera e parë që tentohet të krijohet pasiguri te policët e këtij njësiti me sulme të tilla.

Dy policëve të kësaj njësie më herët u janë hedhur bomba në shtëpi, ndërsa njërit prej tyre i është djegur vetura.

Sulmet ndaj forcave të rendit në veri nuk janë të rralla.

KALLXO.com pati shkruar në tetor të vitit të kaluar për të shtëna drejt shtëpisë së një polici në Leposaviq.

http://kallxo.com/sulm-apo-vjedhje-ne-shtepine-e-policit-ne-veri/