Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Tensionet në Gjykimin për Shtëpinë

Gjatë seancës paditësja dhe të paditurit shpeshherë bënë zhurmë duke i ndërhyrë në fjalë-njëri tjetrit, ndërsa u desh disa herë ndërhyrja e gjyqtarit për ta vënë situatën nën kontroll.

Në këtë gjykim u dha fjala përfundimtare e palëve, ndërsa në të të Albana Kelmendi, avokatja e Shukrije Berishës i propozoi gjykatës të aprovohet kërkesëpadia e klientes së saj për njohje të pronësisë mbi gjysmën e shtëpisë.

“I propozojmë gjykatës që pas vlerësimit  të provave t’ia falin besimin dhe në bazë të dispozitave ligjore ta aprovojë kërkesëpadinë,” tha avokatja kelmendi.

Ajo argumentoi pse kjo kërkesëpadi duhet miratuar nga gjykata.

“Nuk është kontestuese se paditësja ka jetuar me vjehrrën e saj, e njëjta ka qenë po ashtu e punësuar. Këtë gjë e kanë vërtetuar deklarimet e dëshmitarëve, të vetë të paditurve dhe provat tjera materiale. Bashkëshorti i saj ka qenë profesor i historisë dhe kështu ka realizuar të ardhura, ai ka marrë kredi për ndërtimin e shtëpisë në vitin 1975,” tha Kelmendi.

Por Shefki Syla, avokati i të paditurve Adem e Ilaz Berisha, tha se Shukrije Berisha nuk ka kontribuuar n] ndërtimin e shtëpisë, gjysmën e së cilës po e kërkon.

“Në bazë të deklarimeve të dëshmitarëve në seancat e mëparshme, del se shtëpia kontestuese është ndërtuar kryekëput me kontributin e Ilaz Berishës që ka punuar dhe punon në Gjermani dhe menaxhimit me ato mjete të Adem Berishës, kontributi i paditëses në këtë rast është zero,” tha Syla.

Ai propozoi që gjykata ta hedhë poshtë kërkesëpadinë.

“Paditësja kërkon gjysmën e shtëpisë, e jo një të tetën që në bazë të ligjit për trashëgimi do t’i kishte takuar. Për këtë arsye i propozoj gjykatës ta refuzojë kërkesëpadinë,” tha avokati Syla.

Më tutje në gjykatë Adem Berisha e kontestoi shkollimin e vëllait të tij të ndjerë Zeqir Berisha, bashkëshortit të paditëses, duke e quajtur të pakualifikuar dhe me punë të përkohshme, edhe pse në shkresat e lëndës thuhet se Zeqir Berisha kishte kontratë me kohë të pacaktuar.

Gjykatësi kërkoi prova nga Adem Berisha për pretendimet e tij rreth shkollimit të të vëllait, ndërsa këto fjalë të kunatit e befasuan Shukrije Berishën.

Avokati i të paditurve tha se aktualisht nga shtëpia kontestuese është duke përfituar vetëm paditësja.

“Nga shtëpia realizon vetëm ajo të ardhura, ajo e  shfrytëzon pllacin,  tatimin e paguajnë të paditurit, ajo  e merr qiranë,” tha Shefki Syla.

Por përfitimin nga shtëpia e mohoi paditësja Shukrije Berisha.

KALLXO.com mësoi se shtëpia kontestuese shfrytëzohet në dy katët  e saj, njëri nga të cilët prej paditëses, e tjetri nga i padituri Ilaz Berisha.

Në gjykatë, Selvije, Fatmir dhe Valdet Fetahu, fëmijët e kunatës së Shukrije Berishës, gjithashtu të paditur, kërkuan që shtëpia të lirohet nga të gjithë ata që e hfrytëzojnë, pasi prej saj po përfitojnë vetëm disa nga pretendentët për të.

Shukrije Berisha më 15 dhjetor 2005 në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës kishte paditur vetëm Adem Berishën, ngase ai kishte hapur procedurën për shqyrtimin e trashëgimisë duke i marrë vetëm deklaratat vëllait të tij Ilaz Berishës dhe motrës së tij Alijes, sipas autorizimit të dhënë nga ata.

Paditësja kishte pretenduar se në ndërtimin e shtëpisë kontestuese kishin kontribuar vetëm ajo së bashku me bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë dhe kunati tjetër në Gjermani Ilaz Berisha.

Paditësja kërkon që t’i vërtetohet e drejta e pronësisë në gjysmën e shtëpisë.

Po ashtu Shukrije Berisha kërkon nga gjykata që t’i detyrojë të paditurit që t’ia mundësojnë shfrytëzimin e lirë të pronës.

KALLXO.com raportoi edhe më herët për ketë rast.

http://kallxo.com/motra-dhe-dy-vellezer-kundershtojne-kunaten/

http://kallxo.com/mungon-e-paditura-ne-betejen-per-shtepine/