Tensione Gjatë Ndërtimit të Kompleksit Banesor në Deçan

Anëtarë të familjes Ibërhysaj nga Deçani janë përpjekur të pengojnë fillimin e ndërtimit të një kompleksi banesor në këtë komunë, pasi konsiderojnë se prona është e tyre.

Avdullah Ibërhysaj që foli për KALLXO.com në emër të kësaj familjeje, tha se punimet nuk duhet të fillojnë pa përfunduar shqyrtimi gjyqësor i këtij kontesti pronësor.

“A je vjen marre këtyre çka o ka dojnë me bo, se vllahen dy orë me ja çu kerrin para shtëpisë tij s’ma len, çka o ka don? Letë përfundon gjyqi,  krejt dynjaja le të vinë le të ia nis me punu. Lena vëlla rahat, kjo që 100 vjet nuk është ndërtuar, kurrgjë nuk bëhet, veç të maron gjyqi”, tha Ibërhysaj.

Avokati i Komunës së Deçanit Dukagjin Pavataj tha për KALLXO.com se Gjykata në Deçan dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar kërkesën e familjes Iberhysaj për ndalimin e punimeve deri sa të zgjidhet kontesti.

Pavataj tha se prona kontestuese i takon Komunës së Deçanit, ndërsa ajo e ka dhënë shfrytëzim për 99 vjet.

Avokati i komunës tregoi se në vitin 2015 familja Ibërhysaj ka ngritur padi për vërtetim pronësie.

“Një kohë kanë qenë pronarë, por posedues dhe shfrytëzues nuk kanë qenë asnjëherë. Për ketë arsye që kanë qenë një kohë pronarë  kanë bërë padinë. Kërkesa për masën e përkohshme është refuzuar, tash është çështje e gjykatës se çka vepron,” tha Pavataj për KALLXO.com.

Ndërsa pronari i ndërmarrjes “Shasa Group” Hysen Gashi që po kryen punimet e ndërtimit të objektit në pronën kontestuese, nuk deshi të flasë rreth përplasjeve të komunës me familjen e Ibërhysaj.

Punimet në objektin banesor filluan me disa orë vonesë, pasi anëtarë të familjes Ibërhysaj u morën vesh me policinë që të mos i pengojnë ato.

Edhe  në shtator të vitit të kaluar familja Ibërhysaj kishte penguar fillimin e punimeve në këtë pronë.

Atëherë, anëtarë të kësaj familjeje kishin thënë se pajtohen që në pronën kontestuese në qendër të Deçanit të rregullohet një park, por jo një kompleks banesor.

http://kallxo.com/pengohet-ndertimi-objektit-banesor-ne-qender-te-decanit/