Tenderët në Kosovë Prishin Imazhin e Shtetit

Ekziston një nevojë urgjente që institucionet e vendit të ngrisin kapacitetet njerëzore dhe teknologjike në sektorin e prokurimit, u tha sot në konferencën e publikimit të raportit “Nder me Tenderë” të BIRN dhe Internews Kosova për prokurimin publik për vitin 2015.

Raporti analizon kontratat kur Autoritet Kontraktuese kanë shkelur udhëzimin administrativ të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik duke publikuar tenderë pa vlera, e as ky Komision nuk ka arritur t’i detyrojë ato Autoritete Kontraktuese ta respektojnë atë udhëzim administrativ, e vlera e atyre tenderave së bashku arrin edhe miliona euro.

“Është bërë e patolerueshme edhe për njerëzit brenda partive në pushtet që të bëhen keqpërdorime në prokurim publik. Duhet të vimë në situatë kur duhet t’u vijë turp atyre zyrtarëve që japin tenderë për nder të dikujt”, tha Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN Kosova.

Autorja e raportit, Florina Ujupi, tha se nuk është e rastësishme që performanca e dobët e institucioneve të Kosovës në fushën e prokurimit publik është vënë në shënjestër edhe të Bashkimit Evropian.

“Keqpërdorimet në tenderë ndikojnë jo vetëm në buxhet por edhe në imazhin e shtetit”, tha Florina Ujupi.

Raporti është i ndarë në 8 kategori dhe përfshin 169 autoritete kontraktuese të cilat kanë zhvilluar procedura përmes prokurimit publik apo kanë tenderuar mallra, shërbime dhe punë.

Raporti paraqet milionët e shpenzuar të buxhetit, keqpërdorimet dhe favorizimet me tenderë dhe përmban elemente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike nga ana e institucioneve buxhetore brenda periudhës janar-dhjetor 2015.