Foto: Arkiv

Temat e Vjetra të Vitit të Ri

Historitë e çështjeve të mëdha në vend, të cilat kanë nisur vite më herët dhe ende nuk kanë marrë epilog do të jenë pjesë e agjendës së Kosovës edhe në vitin që po vjen.

Janë pesë tema që e presin Kosovën në 2018: Demarkacioni, Asociacioni, Ushtria, Dialogu dhe Gjykata Speciale. Kjo e fundit, edhe pse e themeluar në 2015, pritet që të nisë punën këtë vit.

DEMARKACIONI

Ratifikimi i Marrëveshjes së Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi ende mbetet temë e pazgjidhur në vend. Me gjithë premtimet kur erdhi në krye të ekzekutivit, Ramush Haradinaj ende nuk e ka përmbushur kushtin për liberalizim.

Edhe pse qeveria e ka proceduar në kuvend marrëveshjen bashkë me raportin e ekspertëve të komisionit të ri, partia e Kryeministrit vazhdon të deklarohet kundër kësaj marrëveshje bashkë me Vetëvendosjen dhe NISMA-n. Megjithatë kjo pikë ende nuk është futur në rend dite në kuvend edhe pse i është proceduar legjislativit më 4 dhjetor.

USHTRIA

Në fillim të këtij viti, Presidenti mori iniciativë që të formonte ushtrinë me ndryshime ligjore, por presioni ndërkombëtar që transformimi të bëhej me ndryshime kushtetuese e zmbrapsi Presidentin Thaçi.

Më 7 mars, Presidenti Thaçi ia dorëzoi Kryeparlamentarit Kadri Veseli projekt-ligjin për transformimin e FSK-së. Vetëm një ditë më vonë, u mblodh kryesia e kuvendit dhe i njëjti u procedua në qeveri për mendim. Por deri sot qeveria nuk e ka kthyer projekt-ligjin tek deputetët.

Po një muaj më vonë, Thaçit i erdhën në takim ambasadorët e Quint-it të akredituar në Kosovë. Menjëherë pas takimit Presidenti doli në konferencë për media, ku tha se ushtria do të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 deputetë, si dhe dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë.

ASOCIACIONI

Në dhjetor të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues në 19 nene të saj, por që në aktvendim thuhet se asociacioni duhet të formohet në bazë të këtij vendimi.

Por, edhe pse ka kaluar një vit, dhe kjo temë është përfolur edhe si kusht i Listës Serbe në shumë procese, madje ka qenë premtim i liderëve se do të ndodhë, formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe ende nuk është formuar.

DIALOGU

Edhe pse në korrik presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, në takimin e ndërmjetësuar nga shefja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, ishin pajtuar për të punuar në “nisjen e një faze të re” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtim, as pas gjysmë viti nuk ka ndodhur asnjë takim për rinisjen e bisedimeve të këtij niveli politik.

Madje as rezoluta e paralajmëruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, e cila thuhej se do t’o paraprijë fazës së re të bisedimeve, ende nuk është miratuar.

Gjithsesi, dialogu mes presidentëve Thaçi e Vuçiq pritet të (ri)nisë.

Presidenti Thaçi është në përpjekje për ta krijuar një “ekip uniteti” të përbërë nga përfaqësues të të gjithë spektrit politik kosovar, ndërsa në Serbi Vuçiq ka ndërmarrë një “dialog të brendshëm” për t’i gjetur zgjidhje çështjes së Kosovës, që po e mban peng integrimin europian të Serbisë.

GJYKATA SPECIALE

Edhe pse e miratuar në tentimin e dytë, në gusht të vitit 2015, Gjykata Speciale ende nuk ka nisur punën. Në qershor të vitit 2017, kur Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës miratoi rregullat e rishikuara të procedurës dhe provave për gjykatën e re speciale që do të gjykojë ish-luftëtarët e UÇK-së në Kosovë, u tha se menjëherë pas një jave nga miratimi nuk do të ketë asnjë pengesë ligjore për të marrë apo ngritur padi, kjo nuk ndodhi gjatë këtij viti.

Por, në javën e parafundit të dhjetorit, me iniciativën e 43 deputetëve nënshkrues, u tentua që kjo gjykatë të zhbëhej përmes ligjit, por kjo nuk ndodhi, e nuk dihet nëse kjo kërkesë do të vazhdojë edhe më 15 janar, atëherë kur do të nisë punën kuvend.

Ambasadorët e SHBA-së dhe ai i Britanisë së Madhe, u treguan të ashpër ndaj tentativës së Kuvendit për të zhbërë Gjykatën Speciale, e këtë e quajtën “thikë pas shpine” e shkatërrim i të ardhmes së Kosovës.

Ende nuk dihet kur Gjykata Speciale do t’i ngrisë aktakuzat e para.