Telat e rrymës në tokë në Isniq të Deçanit | Foto: KALLXO.com

Telat e Rrymës Nëpër Tokë- KEDS Intervenon

Në KALLXO.com kanë ardhur fotografi nga një qytetar në të cilat shihen tela të rrymës nëpër tokë në Isniq të Deçanit.

Gjendja e tillë është krijuar pasi mbrëmë pas mesnatës ka pasur erëra të fuqishme në këtë komunë dhe pjesë tjera të Dukagjinit.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala tha për KALLXO.com se ekipet e kompanisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa tregoi se ka dëme të mëdha në rrjetin elektrik në Deçan.

“Mbrëmë në Deçan ka pasur erëra të fuqishme që kanë shkaktuar dëme në rrjetin elektrik. Ka edhe shumë shtylla të thyera dhe përçues përtokë”, tha Buzhala.

Ai deklaroi se ekipet e KEDS-it që merren me prishjet, të përforcuara edhe me ekipe tjera, janë mobilizuar për të rregulluar prishjet.

Buzhala tha se një pjesë e prishjeve në rrjetin e tensionit të lartë janë rregulluar, ndërsa prishjet tjera në këtë rrjet pritet të rregullohen gjatë ditës.