Arkiv - Nga zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Telashe me Tender- Rrezikohet Furnizimi me Material për Zgjedhje

Tenderi për furnizim me material administrativ për pakot e vendvotimeve për zgjedhjet lokale 2017 duhet të rinisë nga e para.

Gjykata e tenderëve vendosi kësisoj pasi për këtë aktivitet të prokurimit pati ankesa për parregullsi.

Kompania ankuese “Infinit” Sh. P. K. kërkoi rishqyrtim të tenderit nga Sekretariati i Komisionit Qendror të Zjedhjeve, e kur kjo nuk ndodhi, kompania u ankua në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Sekretariati i KQZ-së për mosshqyrtimin e kërkesës së kompanisë “Infinit” u arsyetua me fjalët se kjo kërkesë nuk ishte shfaqur në sistemin e prokurimit elektronik, ku u zhvilluan procedurat për këtë tender.

Por OShP-ja vendosi për ritenderim të këtij aktiviteti të prokurimit, duke konstatuar se Sekretariati i KQZ-së veproi në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Njoftimi për kontratë i KQZ-së për tenderin “Furnizim me Material Administrativ për Pakot e Vendvotimeve për Zgjedhjet Lokale 2017” u publikua më 17 korrik.

Në seancën e mbajtur në Organin Shqyrtues të Prokurimit kompania që u ankua- “Infinit” Sh. P. K.  u pajtua dhe i konsideroi objektive konstatimet e ekspertit shqyrtuestë ankesës së saj.

“Pajtohet plotësisht me konstatimet ligjore të ekspertit shqyrtues duke e konsideruar raportin e ekspertizës objektiv, profesional dhe ligjor”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Gjykata e tenderëve më tutje në vendim e konsideron shkelje të rëndë të Sekretariatit të KQZ-së mosshqyrtimin e ankesës së “Infinitit”.

“Autoriteti kontraktues gjatë zhvillimit të këtij nuk ka respektuar nenin 6, 7, 28, 59, të LPP-së, e sidomos shkelje e rëndë konstatojmë mos shqyrtimin e kërkesës për rishqyrtim lidhur me specifikat teknike e parashtruar nga operatori ekonomik ‘Infinit’ konform afateve ligjore sipas nenit 108/A të LPP-së, 5 ditë para dorëzimit të ofertave”, arsyetohet vendimi.

Pastaj në vendim tregohet se “Infinit” Sh.P.K. ka kërkuar ritenderim në lidhje me materiain zgjedhor.

Në seancë përfaqësuesi i Sekretariatit të KQZ-së nuk u pajtua me mendimin e ekspertit shqyrtues të OShP-së, ndërsa tregoi se operatorit “Infinit” i është bërë e qartë që kërkesën ta dërgojë në sistemin elektronik të prokurimit.

“Operatorit ekonomik ankues ‘Infinit’ i është kthyer përgjigje nga autoriteti kontraktues më 03.08.2017 ku thuhet se ‘i nderuar çdo kërkesë dërgohet përmes E-prokurimit për sqarime, në mënyrë që t’u kthehet përgjigja të gjithë operatorëve ekonomikë të cilët kanë tërhequr dosjen përmes e-prokurimit”, vijon përshkrimi në vendimin e OShP-së i asaj që ndodhi në seancë.

Përfaqësuesi i Sekretariatit të KQZ-së pastaj sqaroi se operatori “Infinit” i kishte njoftuar më 7 gusht se e ka dërguar kërkesën në prokurimin elektronik, por përsëri ajo nuk ishte shfaqur në e-prokurim.

“Në këtë rast nuk kemi marrë kërkesë për sqarime përmes e-prokurimit dhe kemi vazhduar procedurat si në vijim. Mendoj se si deri tani çdo operator ekonomik i interesuar që ka bërë pyetje përmes e-prokurimit i kemi kthyer gjithmonë sqarime”, tha përfaqësuesi i Sekretariatit të KQZ-së, duke kërkuar që OShP-ja ta hedhë poshtë ankesën dhe ta lejojë sekretariatin të vazhdojë procedurat.

Eksperti shqyrtues i ankesës së kompanisë “Infinit” tha se aktiviteti i prokurimit për materialet zgjedhore është dashur të pezullohej.

“Rekomandimi është për këtë aktivitet që të anulohet dhe të ritenderohet për arsye se operatori ekonomik ankues nuk ka mundur të ofertojë në këtë tender dhe t’i jepet rasti për ofertim, pasi autoriteti kontraktues nuk e ka shqyrtuar kërkesën për rishqyrtim[të tenderit]”, tha eksperti shqyrtues.

Në fund paneli i gjykatës së tenderëve vendosi që ta anulojë aktivitetin e prokurimit të Sekretariatit të KQZ-së.

“Paneli shqyrtues vlerëson se autoriteti kontraktues- SKQZ procedurën për aktivitetin e prokurimit: ‘Furnizim me Material Administrativ për Pakot e Vendvotimeve për Zgjedhjet Lokale 2017, nr. prokurimi: 320-17-054-121, duhet të anulojë dhe t’u mundësojë të gjithë operatorëve ekonomikë pjesëmarrjen në këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Sekretariati i KQZ-së duke respektuar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit e ka anuluar pastaj këtë aktivitet.

Gazeta Jeta në Kosovë ka dërguar pyetje për të mësuar më shumë lidhur me këtë aktivitet të prokurimit dhe hapat që do të ndërmarrë Sekretariati i KQZ-së për të realizuar këtë furnizim pasi dita e zgjedhjeve po afrohet, por ende nuk ka marrë përgjigje.