Teatri Dodona Sjell ‘Valentinin e Çmendur’

Teatri Dodona Sjell ‘Valentinin e Çmendur’

Të dashuruarit këto ditë po bëjnë plane si ta befasojnë partneren apo partnerin për natën e tyre të Shën Valentinit.

E publiku prishtinas- ata që e duan teatrin- kanë një surprizë nga Teatri “Dodona” gjatë këtyre netëve.

Shfaqja “Më Fol për Dashurinë” do të ngjitet në skenë si premierë natën e 12 shkurtit për të vazhduar më pas për tri net tjera, më 13, 15 dhe 23 shkurt, në repriza të shfaqjes.

Regjisorja, Kreshnike Osmani tha se shfaqja, me tekst të francezit Philippe Claude, ka vetëm dy personazhe të cilët kanë kaluar vitet e pesëdhjeta dhe paraqesin konfliktin e tyre bashkëshortor.

“Kjo dramë ka dy personazhe të cilët e trajtojnë një konflikt bashkëshortor…jeta e tyre është një rrëmujë që nuk përputhet me njëri tjetrin”, tha Osmani.

Sipas saj, shfaqja është e pozicionuar në një spital psikiatrik “pasi që gjuha e tyre që përdoret më shumë i përgjigjet një spitali psikiatrik sesa një familje të shëndoshë”.

Aktori i shfaqjes, Bashkim Alaj tha se publiku do ta pëlqejë shfaqjen pasi që ajo ndërlidhet me jetën e tyre.

Mendoj se publiku e sidomos çiftet kanë me e gjet veten sepse është diçka çka neve na ndodhë gjatë gjithë jetës. Kush është i dashuruar edhe i martuar e gjen veten këtu sepse është diçka aktuale”, tha Alaj.

Drejtori i Teatrit “Dodona”, Agron Shala tha se shfaqja është një dramë psikologjike që do t’i bëjë njerëzit të reflektojnë.

“Është një dramë psikologjike që i bën çiftet të reflektojnë në raportet mes tyre si dhe ndër shoqërore pasi që gjithçka është e lidhur”, tha Shala.