Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Të Shtëna në Aheng Familjar, Konfiskohet Arma

Policia në Vushtrri i është përgjigjur një informacioni të dhënë nga qytetarët për të shtëna me armë në orët e mesditës të datës 5 mars 2017.

Sipas informacionit, të shtënat janë dëgjuar në njërin nga fshatrat që është në zonën për të cilën përgjegjës është Stacioni Policor në Vushtrri.

Njësitë sektoriale dhe reaguese fillimisht kanë bërë lokalizimin dhe identifikimin e vendit, përkatësisht zonës nga ku ishin dëgjuar të shtënat, pastaj është identifikuar shtëpia ku dyshohej se kishte pasur të shtëna me armë. Në këtë shtëpi kishte aheng familjar.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës, policët në këtë lokacion kanë konfiskuar një armë – pushkë automatike si dhe në cilësi të provave materiale janë marrë gëzhoja të cilat dyshohet se janë shkrepur në atë lokacion.

Po ashtu, është intervistuar i dyshuari I.A. 62 vjeçar, i cili dyshohet se ka përdorur armën, dhe pas procedurave intervistuese është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti po hetohet për vepër penale ‘përdorim i armës’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës’.