Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Të Shokuar nga Rezultatet e PISA-s, BE Drejton Projektet Kah Arsimi

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalia Apostolova ka folur lidhur me strategjinë konkrete të BE-së për rimëkëmbjen e sistemit arsimor në Kosovë, duke pasur në mend rezultatet zhgënjyese të testit PISA.

Në një intervistë për Emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Apostolova foli lidhur me projektet e BE-së që i dedikohen arsimit.

“Rezultatet e PISA ishin shokuese. Por, ndoshta këto rezultate kanë shërbyer si një thirrje për të gjithë shoqërinë për të parë sa serioze dhe e keqe është situata në fushën e arsimit. Për shkak të kësaj, dhe siç e dini, BE është një partner shumë i sinqertë dhe është i kyçur në të gjitha sferat e jetës, por kur u njoftuam me situatën e vërtetë të kësaj fushe, ne vendosëm që pjesa më e madhe e fondeve të IPA do të alokohen në arsimim”, tha Apostolova.

Sipas saj, fokusi në strategjinë reformuese do të jetë në reformën fillimisht të institucioneve qeveritare të arsimit.

“Çfarë do të donim ne të bënim është një reformë e tërë sistemit arsimor. Kemi filluar së pari më një vlerësim brenda Ministrisë, le të themi në nivelin arsimor të autoriteteve, për të parë se si është situata aty. Ne kemi kërkuar nga GIZ ta përfundojnë këtë vlerësim, dhe ata sapo kanë përfunduar raportin e tyre dhe ajo se çfarë do të bëj unë është një prezantim para mediave, së bashku me Kryeministrin dhe Ministrin e Arsimit, kështu që i gjithë populli i Kosovës njoftohet me të gjeturat”, tha Apostolova.

Sipas saj, raporti i GIZ do të publikohet së shpejti, ndërsa strategjia reformuese parashihet të zgjasë deri në 10 vjet.

Rezultatet e Testit Ndërkombëtar të Vlerësimit të Nxënësve(PISA), që Kosova iu nënshtrua për herë të parë në vitin 2015, e renditën Kosovën të tretën nga fundi prej 72 shteteve pjesëmarrëse.

Në anën tjetër këtë vit, pritet mbajtja e këtij testi për herë të dytë në fund të muajit prill.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi për KALLXO.com kishte thënë se për të evituar rezultate shumë të këqija siç ishin në herën e parë kur Kosova iu nënshtrua këtij testi, ata planifikojnë testime përgatitore dhe mësim shtesë.

“E kemi një lajm të mirë që deri në fund të janarit do të kemi informacione se të cilat shkolla do të mbahet testi, pra cilat shkolla do të jenë të përzgjedhura nga PISA dhe në këto shkolla do të kërkojmë nga drejtoritë e shkollave që të kenë mësim shtesë për lëndë në të cilat do ti nënshtrohen testit PISA 2018”, tha Bytyqi.

http://kallxo.com/testi-pisa-77-e-nxenesve-15-vjec-sdine-lexim/