Parku i Gërmisë | Foto: KALLXO.com

Të Rinjtë nga Kosova, Shqipëria e Diaspora Bashkë në Gërmi

Ministria e Diasporës dhe Organizata Joqeveritare “Toka” kanë bërë bashkë në Gërmi në kampin veror 40 të rinj nga Kosova, Shqipëria e Diaspora.

Ministri në detyrë i Diasporës Valon Murati tha se kampi mbahet për të zhdukur barrierat mes të rinjve.

“Këto organizime janë në funksion për të ruajtur identitetin kombëtar për të rinjtë tanë  në diasporë,por besoj që janë edhe një model i mirë i bashkëpunimit midis atdheut dhe diasporës”, tha Murati.

Anel Bajra, po ashtu nga Ministria e Diasporës tha se për kampin aplikuan 240 fëmijë, por u pranuan vetëm 40 për shkak numrit të kufizuar të kamp-shtëpizave në Gërmi.

“Fëmijët janë të moshave 14 deri 17 vjeç dhe kryesisht janë nga diáspora dhe vendeve të rajonit dhe ndër ta edhe të Kosovës”, tha Bajra.

Ndërsa përfaqësuesja nga OJQ “Toka” Jehona Gjurgjeala njoftoi për aktivitetet që do të zhvillohen në kamp.

“Përveç aktiviteteve grupore të brendshme do të ketë edhe eksursione jashtë kampit në Muzeun Etnologjik,Parkun e Blinajës dhe Ujvarën e Mirushës”, tha Gjurgjeala.

Kampi do të vazhdojë deri më 28 korrik.