Lëvizja FOL, Dialogu social në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Të Rinjtë Kosovarë të Paangazhuar në  Vendimmarrje

Lëvizja Fol ka prezantuar raportin “Dialogu social në Kosovë: Roli i Këshillit Ekonomiko-Social – KES-it dhe përfshirja e rinisë në dialog”, ku ndër të gjeturat kryesore që janë përmendur është se dialogu social nuk është i njohur për publikun e gjerë.

NDËRLIDHUR

Gersi Gashi nga Lëvizja FOL tha se dialogu social është një proces shumë i rëndësishëm për funksionimin e duhur të shtetit dhe për një sistem demokratik të qeverisjes.

“Në Kosovë, si term por edhe në politik bërje, dialogu social nuk është shumë i njohur për publikun e gjerë. KES-i në Kosovë mbart në vete rolin e shtyrjes përpara të dialogut social. Si mekanizëm që bën bashkë përfaqësuesit e punëdhënësve/eve, punëmarrësve/eve, dhe Qeverisë, padyshim se KES ka për detyrë që të sigurojë gjithëpërfshirje në dialog, duke ngritur vetëdijen mbi dialogun social dhe nxitjen e të gjithë shoqërisë të jetë pjesë në të, përfshirë këtu edhe rininë”, tha Gashi.

Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitiet tha se Kosova mbetet vendi më i varfër në botë dhe me papunësi të madhe.

“Këto rrethana bëjnë që për çdo vend pune të konkurrojnë shumë persona. E marrim shembull vendin e punës në Dyz dhe në Gjilan ku për një pozitë për gardian kanë konkurru 1 mijë e 441 persona.  Për më keq çdo i larguar nga puna mund të zëvendësohet tejet lehtësisht dhe duke qenë të vetëdijshëm punëdhënësit e pandërgjegjshëm e kanë luksin t’i trajtojnë punëtorët ashtu siç dojnë ata dhe duke ua shkelur të drejtat që i kanë të garantume edhe me ligj”, tha Hoxha.

Ajo ka shtuar se nga viti 2009 raportet e progresit kanë theksuar nevojën për përmirësimin e legjislacionit në fushën sociale. Termi skllavëri moderne sipas saj është përshkrimi më i mirë i gjendjes së punëtorëve në sektorin privat, e posaçërisht në bizneset e vogla.

Sipas saj, vetëm në vitin 2017 janë 15 raste të vdekjeve në vendin e punës, shumica e tyre në sektorin e ndërtimtarisë. Ajo tha se sfidë mbetet moszbatimi i kontratës kolektive, sidomos tek sektori privat.

“Unë mendoj se Kosova duhet të ndërmarrë tri masa për të rritur punësimin: Angazhimi i shtuar i rinisë në Sindikata, përkrahja e shtetit me grante për StartUps dhe përpilimi i praktikave që shtojnë angazhimin e të rinjve”, tha Hoxha.

E në anën tjetër Rashit Mehmeti nga Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës(BSPK) tha se deri në vitin 2011 anëtarët e KES-it nuk kanë marrë kompensim dhe kjo ka mundur të ndikojë që KES të mos jetë shumë efektiv.

“Paga minimale ka qenë shumë herë në rendin e ditës ku kemi kërkuar që ajo të jetë 220-250 euro, mirëpo kjo nuk ju konvenon përfaqësuesve te bizneseve”, tha Mehmeti.

Fjolla Bajraktari, nga Innovation Lab Kosovo/PEN, tha se kanë mbajtur punëtori çdo tre muaj në fshatra të komunave të Kosovës, ku në fillim sipas saj ka pasur hezitim të të rinjve për të marrë pjesë dhe nganjëherë kanë pasur edhe hezitim të vendimmarrësve për të bashkëpunuar.

Por, e rëndësishme sipas saj mbetet se shumica e rasteve kanë rezultuar të jenë storie të suksesit, dhe është parë që ka një dëshirë nga të rinjtë dhe të rejat për involvim sa më të madh, sidomos në vendimmarrje.

31 Tetor 2017 - 14:27

Amire Qamili 31/10/2017 - 14:27
NDËRVEPRIMI0

Të Rinjtë Kosovarë të Paangazhuar në  Vendimmarrje

by Amire Qamili
NA NDIQNI

Send this to a friend